Policia e Shkodrës ka sekuestruar rreth 77 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar kanabis gjatë një operacioni antidrogë, në kuadër të të cilit janë arrestuar dy vëllezër, ndërsa një 24-vjeçar është shpallur në kërkim.
Në pranga kanë rënë Gjovalin Sheja, 49 vjeç, banues në fshatin Abat, dhe Kujtim Sheja, 57 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re. Në kërkim është shpallur djali i këtij të fundit, Kristjan Sheja, 24 vjeç.
Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë, në vijim të operacionit të koduar “Polinomi”, ndërsa faza e fundit u finalizua me emrin “Polinomi 2”.
Gjatë kontrollit në banesën e Gjovalin Shejës, policia gjeti dhe sekuestroi 10 kilogramë kanabis. Ndërsa në banesën e Kujtim Shejës u zbuluan rreth 66.8 kilogramë të tjera lëndë narkotike, të ndara në thasë.
Përveç drogës, në banesën e 57-vjeçarit u sekuestruan edhe një pistoletë me krehër dhe fishekë, një pushkë pneumatike, municion luftarak për armë zjarri dhe armë gjahu, aksesorë armësh, një shkop metalik, dy radio marrëse-dhënëse, një peshore elektronike dhe tri pajisje optike, konkretisht dy kamera dhe një monokular.
Policia vijon punën për kapjen e 24-vjeçarit të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.

