Pas kufizimit të importeve nga Brazili për mishin e gjedhit dhe të shpendëve, industria përpunuese rrezikon të përballet edhe me kufizime për mishin e derrit. Industria paralajmëron rritje të kostove dhe të çmimeve të mishit, sallamit dhe të nënprodukteve të tjera deri në 40% për konsumatorët. Në mbrojtje të prodhimit, përpunuesit kërkojnë sërish heqjen e tarifës doganore 10% për importet nga BE dhe hapjen e tregut europian për eksportin e produkteve të përpunuara shqiptare.
Industria e përpunimit të mishit gradualisht po humbet një nga burimet kryesore të furnizimit me lëndë të parë. Pas ndalimit të importit të mishit të gjedhit dhe të pulës nga Brazili, Shqipëria është drejt mbylljes së një burimi të tretë të furnizimit, atë të mishit të derrit nga ky shtet.
Deklarata u bë publike nga ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, në seancën e komisionit parlamentar, i cili paralajmëroi se do të rishikojnë marrëdhëniet tregtare me palën braziliane, në kuadër të problematikave të konstatuara gjatë kontrolleve me importin.
Rishikimi i marrëdhënieve tregtare për importin e mishit të derrit nga Brazili, risjell në vëmendje shqetësimin e industrisë të ngritur dy vite më parë.
Në vitin 2024, pas Takimit Dypalësh me Komisionin Europian, Ministria e Bujqësisë u angazhua që në kuadër të përafrimit të legjislacionit për kontrollet zyrtare sipas standardeve të BE-së, do të ndryshonte marrëveshjet tregtare me vendet jashtë Europës, përfshirë edhe marrëveshjet tregtare për mishin e derrit të importuar nga Brazili.
Në atë periudhë, pesë kompani përpunuese të mishit (EHW, KMY, HAKO, FIX, TONA) i dërguan një letër Ministrisë së Bujqësisë ku ngrinin shqetësimin se nëse ndërpritej importi nga Brazili për mishin e derrit, kur mundësia e tregut vendas për të furnizuar ndërmarrjet përpunuese është pothuajse zero, kostot e prodhimit dhe produkteve do të rriten me 10-20%.
Industria solli në vëmendje në atë periudhë se nëse do të furnizohen me mish derri nga Europa, Kanadaja dhe SHBA, çmimet ishin 35 deri në 38% më të shtrenjta sesa Brazili.
Në këtë situatë, zbatimi i ligjit për kontrollet e sigurisë ushqimore u shty për t’u zbatuar në fillim të vitit 2025, pasi në këtë periudhë, qeveria parashikoi të niste projektin e BE-së për sigurinë ushqimore, bazuar te vlerësimi, kategorizimi dhe përditësimi i standardeve për stabilimentet ushqimore.
Procesi për vlerësimin e sigurisë ushqimore në stabilimentet e prodhimit të produkteve me origjinë shtazore nisi në muajin prill dhe përfundoi në korrik 2026.
Për të njëjtën arsye, me qëllim përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian, prej 3 shtatorit, në vend ka nisur ndalimi i importeve nga Brazili i mishit të viçit dhe të pulës.
Vendimi riktheu presionin për shtrenjtimin e kostove prodhuese dhe rritjen e çmimeve të konsumatorit tek industria e përpunimit të mishit.
Për Shqipërinë, këto ndryshime nuk përfaqësojnë vetëm një procedurë administrative, por prekin drejtpërdrejt një nga burimet kryesore të furnizimit të tregut shqiptar me mish.
Për shkak të çmimit më të lirë, importet kryesore të mishit si lëndë e parë për përpunim e nënprodukteve të tij përfshirë sallam, salsiçe etj., vijnë nga Brazili.
Për periudhën janar-gusht 2026, sipas të dhënave të INSTAT, Shqipëria importoi një sasi prej rreth 32,4 mijë tonësh për grupin e mishit dhe të brendshmeve të tij. Krahasuar me të njëjtën periudhë, importet u rritën me 7%.
Rreth 34% e importeve të këtij grupi për periudhën janar-gusht e kanë origjinën nga Brazili. E ndjekur më pas nga importet e SHBA-së, që përbëjnë 19% të totalit, 17% të importeve është me origjinë nga Greqia, 10% nga Italia. Nga Paraguai, importet zunë 4% të totalit për janar-gusht 2026. Importet nga Gjermania dhe Spanja zunë secila 3% të totalit.
“Për importet nga Brazili, nga 3 shtatori 2026 janë zbatuar ndryshimet që lidhen me listimin europian për mishin e gjedhit dhe të shpendëve. Për këto kategori nuk lejohen importet në kushtet e reja të listimit, pikat e kontrollit dhe subjektet importuese janë njoftuar.
Zbatimi duhet të jetë i njëtrajtshëm, i dokumentuar dhe i shoqëruar me kontrollet që kërkon çdo ngarkesë. Lidhur me çështjen e mishit të derrit, janë zhvilluar komunikimet përkatëse me Brazilin për rishikimin e marrëdhënieve tregtare”, pohoi ministri Salla në Komisionin Parlamentar për Çështjet e Bujqësisë.
Por, pas këtij vendimi, në praktikë, operatorët që kanë importuar mish nga Brazili duhet të përshtaten me kushtet e reja që hynë në zbatim nga data 3 shtator. Pra duke importuar mish nga vendet e Bashkimit Europian, ku çmimet sipas tyre, janë 10 deri në 40% më të shtrenjta sesa Brazili, apo nga shtetet jashtë BE-së.
Drini Zusi, industrialist, përfaqësues i grupit të kompanive AZ Group, tha për “Monitor” se arsyeja kryesore pse industria shqiptare e përpunimit të mishit furnizohet nga Brazili lidhet me çmimin konkurrues dhe shkallën e lartë të prodhimit brazilian.
Sipas tij, Brazili ka një industri të konsoliduar të blegtorisë dhe të përpunimit të mishit, me prodhim në volume shumë të mëdha dhe me akses të gjerë në lëndë të para për ushqimin e kafshëve, çka i mundëson të ofrojë mish me çmime më të ulëta në tregjet ndërkombëtare.
Për përpunuesit shqiptarë, të cilët e përdorin mishin e importuar si lëndë të parë për prodhimin e sallameve, salsiçeve dhe produkteve të tjera, çmimi i furnizimit është një faktor i rëndësishëm në përcaktimin e kostos finale të produktit.
“Arsyeja përse e gjithë bota importon nga Brazili dhe përse ky shtet është kaq konkurrues në këtë sektor, është pikërisht e kundërta e problemit që kemi ne.
Ata kanë ditur të shfrytëzojnë avantazhet natyrore (që i ka edhe Shqipëria) për të krijuar një zinxhir të integruar nga prodhimi i ingredientëve ushqimorë (misër, sojë etj.), te teknologjia e ushqimit, te shkenca e rritjes së kafshëve e deri tek investimet në therje, përpunim e më pas në eksport.
Pra bizneset dhe shteti kanë identifikuar një avantazh konkurrues dhe kanë krijuar të gjitha kushtet për zhvillimin dhe shfrytëzimin e atij avantazhi.
E përkthyer në gjuhë më praktike, çdo hallkë e prodhimit të mishit dhe nënprodukteve të tij, fillon dhe mbaron po aty.
Njëkohësisht çdo hallkë është strategjikisht e mbështetur dhe e subvencionuar, për të minimizuar kostot e operimit apo të inovacionit si fillim, duke marrë parasysh që fitimi krijohet më vonë në ekonomi shkalle.
Sot Brazili është ndër shtetet kryesore për mbjelljen e sojës apo të misrit dhe prodhon ushqim shumë të lirë, i prodhon plehëruesit po aty dhe sërish fermeri apo mbarështuesi ka kosto më të lirë, thertoret janë ndër më gjigantet dhe kanë volume të jashtëzakonshme e rrjedhimisht kanë mundësinë të ulin fitimin/njësi, pasi përfitojnë në sasi.
Në Shqipëri është e kundërta. Një mbarështues shqiptar nuk subvencionohet sa duhet as për krerët, po as për tokat që mbjell për ushqim.
Plehëruesit për rritjen e rendimentit të prodhimit nuk prodhohen në Shqipëri, e rrjedhimisht i kushtojnë më shtrenjtë. Pra ushqimin do ta blejë më shtrenjtë, koston e rritjes më të lartë, ilaçet dhe antibiotikët më të lartë, e kështu me radhë shkon zinxhir.
Kjo është për atë ardhur keq, sepse realisht, Shqipëria ka të gjitha mundësitë natyrore për të krijuar një industri tejet të shëndetshme dhe përfituese blegtorale”, pohon ai.
Pse e kufizoi Shqipëria importin e mishit nga 3 shtatori?
Importi në Shqipëri i mishit të gjedhit dhe mishit të shpendëve me origjinë nga Brazili nuk mund të vijojë pas datës 3 shtator 2026, si pasojë e ndryshimeve të fundit në rregullat e Bashkimit Europian dhe të lidhjes që legjislacioni shqiptar ka vendosur me listat e vendeve të miratuara nga BE-ja.
Në shkresën që Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural i ka dërguar Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), me qëllim njoftimin e importuesve, Urdhri i Ministrit nr. 294, datë 13.06.2006, “Për importin e mishit nga Republika Federale e Brazilit”, parashikon që mishi i gjedhit dhe mishi i shpendëve nga Brazili mund të importohen në Shqipëri vetëm nëse produktet janë prodhuar në zona dhe stabilimente të miratuara nga Bashkimi Europian dhe shoqërohen me certifikatën veterinare përkatëse.
Ndërkohë, Komisioni Europian ka miratuar Rregulloren Zbatuese (BE) 2026/1189, e cila ndryshon Rregulloren Zbatuese (BE) 2021/405 në lidhje me kufizimet për përdorimin e disa produkteve antimikrobike veterinare.
Rregullorja e re lidhet me kushtet që duhet të përmbushin kafshët dhe produktet me origjinë shtazore të destinuara për konsum njerëzor për të hyrë në tregun e BE-së.
Në kuadër të këtij ndryshimi, sipas shkresës së Ministrisë, Brazili është hequr nga lista përkatëse e vendeve të treta ose rajoneve të tyre të autorizuara për hyrjen në BE të dërgesave të produkteve të caktuara me origjinë shtazore.
Kjo ka një efekt të drejtpërdrejtë në Shqipëri. “Në këto kushte, për aq kohë sa Urdhri i ministrit nr. 294/2006 e kushtëzon importin e mishit nga Brazili me miratimin e zonave dhe stabilimenteve nga BE-ja, ndryshimet e sjella me rregulloren zbatuese të BE 2026/1189, reflektohen drejtpërdrejt në zbatimin e këtij urdhri”, thuhet në shkresë.
Për këtë arsye, nga data 3 shtator 2026, datë në të cilën fillon zbatimi i Rregullores (BE) 2026/1189, operatorët që importojnë mish gjedhi dhe mish shpendësh nga Brazili duhet të marrin parasysh kufizimet e reja.
Industrialistët parashikojnë rritje të kostove prodhuese dhe të çmimeve për tregun e pakicës
Për shkak të ndalimit të importeve nga Brazili, përpunuesit duhet të gjejnë burime alternative furnizimi, kryesisht nga vendet e Europës, ku çmimet për mishin e pulës dhe të viçit janë 12 deri në 40% më të larta. Importuesit po hasin çmime më të shtrenjta sesa Brazili edhe për alternativa të tjera furnizuese, si në Paraguai, Argjentinë dhe Uruguai.
Drini Zusi, industrialist në sektorin e përpunimit të mbetjeve shtazore, thotë se çmimet më të shtrenjta të furnizimeve do të rrisin kostot prodhuese të përpunuesve 20 deri në 25%.
Nëse situata vijon, ai parashikon që në fund të vitit mund të ketë edhe reflektim në çmimet e produkteve finale. Sipas tij, në një skenar të tillë, çmimet për konsumatorin mund të rriten me rreth 7-11% në muajt nëntor-dhjetor.
Ai thekson se industria mund të absorbojë një pjesë të kostos në periudhën e parë, por kjo nuk mund të vijojë pafundësisht, pasi marzhet e kompanive janë tashmë nën presion nga rritja e pagave, çmimit të naftës dhe kostove operative.
“Vitet e fundit, pas pandemisë së Covid-19, zhvillimet tregtare janë bërë gjithmonë e më të vështira për t’u parashikuar. Por një gjë është e qartë: nëse largohet nga tregu një nga furnizuesit më konkurrues në botë, kostoja e zgjidhjes alternative do të rritet, pra kostot e industrisë do të rriten.
A do të kalojë kjo kosto në çmimet e konsumatorit? Besoj se jo që në fillim. Në afat shumë të shkurtër (2-4 javë) një pjesë e industrisë mund ta absorbojë një pjesë të kostos në marzh, paçka se me dhimbje shumë të madhe, pasi marzhet e industrisë janë tkurrur shumë gjatë 2-3 viteve të fundit.
Por një industri nuk mund të absorbojë pafundësisht rritjen e kostos së lëndës së parë. Duhet sjellë në vëmendje se po flasim për një sektor që tashmë përballet me rritje artificiale të pagave, rritje të çmimit të naftës dhe të kostove operative në përgjithësi.
Nëse diferenca bëhet strukturore, një pjesë e saj herët ose vonë kalon në çmimin e produktit final.
Parashikohet që kostot e industrisë do të rriten minimumi me 20-25% për këto lëndë të para, dhe nëse kjo situatë zgjat, ndoshta nga nëntori apo dhjetori mund të ketë rritje prej 7-11% të çmimeve të produkteve finale për konsumatorin. Megjithatë, uroj të jem 100% gabim, e të mos ketë asnjë rritje apo presion çmimesh”, pohon ai.
Pas ndërprerjeve të importeve nga Brazili, disa përpunues të mishit dhe prodhimit të nënprodukteve të tyre paralajmëruan se prej muajit nëntor në tregun vendas pritet që çmimet e mishit të freskët të viçit, të pulës dhe nënprodukteve të rriten nga 12 deri në 40%.
Për mishin e gjedhit, përpunuesit pohuan se çmimet e furnizimeve në Europë për muajin shtator rezultojnë 19% më të shtrenjta sesa çmimi i mishit në Brazil. Sipas përllogaritjeve të tyre, kjo mund të sjellë rritje të kostos së produkteve dhe nënprodukteve të mishit me rreth 12-13%.
Përpunuesit theksuan se shtrenjtimi i çmimeve të importit do të reflektohet edhe me rishikim të çmimeve të mishit të viçit në tregun e pakicës.
Aktualisht, çmimi i mishit të freskët të viçit në tregun e pakicës luhatet nga 1,200-1,300-1,350 lekë për kilogram. Me furnizimet e reja, përpunuesit presin që çmimi të rritet me rreth 300-400 lekë për kilogram, duke e çuar mishin e viçit në nivele prej rreth 1,600-1,700 lekësh për kilogram.
Efektet pritet të jenë më të ndjeshme për mishin e pulës. Çmimet e importeve nga vendet europiane rezultojnë rreth 40% më të shtrenjta sesa Brazili. Sipas përpunuesve, gjoksi i pulës përbën deri në 15% të totalit të importeve të disa kompanive.
Shtrenjtimi i importeve sipas përpunuesve pritet të reflektohet edhe te ndryshimet e çmimeve të shitjes me shumicë për fileton e pulës.
Çmimi me shumicë i filetos së pulës, aktualisht luhatet rreth 320-330 lekë për kilogram. Me furnizimet e reja nga tregjet europiane, përpunuesit presin rritje të kostos dhe vlerësojnë se çmimi i filetos mund të arrijë deri në 450 lekë për kilogram.
Përpunuesit pohojnë se ndryshimet e kostove dhe të çmimeve për tregun e pakicës pritet të nisin nga muaji nëntor, ndërsa piku i rritjes së çmimeve pritet në muajin dhjetor.
Përpunuesit pohojnë në aktualisht po përdorin rezervat e lëndës së parë që mund të zgjasin deri në 2 muaj, gjatë periudhës shtator-tetor.
Po çfarë kërkon industria?
Në këto kushte, kërkesat kryesore të industrisë janë heqja e tarifës doganore 10% për importet e mishit nga vendet e Bashkimit Europian dhe hapja e tregut europian për eksportet e produkteve të përpunuara me origjinë shtazore.
“Në afat të shkurtër, shteti duhet së pari të sigurojë që industria të ketë akses sa më të gjerë në tregje alternative të aprovuara dhe të mos krijojë pengesa administrative shtesë në një moment kur furnizimi nga kanalet kryesore deri më sot, është kufizuar.
Pra industritë duhet të vazhdojnë të operojnë pa pasur ndalesa apo vonesa që mund të përkthehen në kosto të shtuara për ta e për konsumatorin.
Si masa emergjente do të ishte heqja e tarifës doganore 10% për importin e mishit, por vetëm për ato produkte apo nënprodukte që shkojnë për industrinë, pra ato produkte të cilat nuk cenojnë prodhimin e mishit të freskët vendas. Mishi vendas duhet të shitet 100%”, pohon industrialisti Drini Zusi.
Heqja e taksës doganore 10% nuk është një kërkesë e re. Ajo u ngrit nga industria e përpunimit të mishit në vitin 2024, kur përpunuesit kërkuan heqjen e tarifës për mishin e importuar nga vendet e BE-së, duke argumentuar se kjo i vinte në disavantazh ndaj konkurrentëve të rajonit.
Në atë kohë, industria argumentonte se kostoja shtesë e tarifës 10% rriste kostot e lëndës së parë dhe dobësonte konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare. Kërkesa u lidh edhe me faktin se prodhimi vendas nuk arrinte të siguronte në sasi të mjaftueshme lëndën e parë për industrinë e përpunimit, veçanërisht mishin e derrit.
Propozimi për heqjen e taksës doganore 10% të mishit të importit nuk mbështetet nga ekspertët e blegtorisë. Ervin Resuli, ekspert i blegtorisë, pohoi më herët se nëse miratohet, do të thyejë të vetmen barrierë mbrojtëse për të penguar hyrjen e importeve nga jashtë.
- Resuli argumentonte se në këtë situatë, institucionet shtetërore duhet të ndërhynin me rritje të subvencioneve me qëllim mbrojtjen e industrisë dhe blegtorisë që është në një situatë të vështirë për shkak të rënies së krerëve të kafshëve.
“Heqja e taksës së importit do të bëjë batërdinë në vend. Pasi pa taksë doganore do të importohen jo vetëm mishi, por të gjitha nënproduktet e tjera të kërkuara për heqje të taksës sipas kodit doganor.
Heqja e taksës do të jetë jo vetëm për mishin, por për të gjithë produktet e tjera që përfshijnë kodin doganor të kërkuar nga industria për heqjen e saj.
Kjo masë fiskale, nëse do të miratohet, nuk do ta ndihmojë aspak prodhimin vendas. Është tepër e domosdoshme që shteti të ndërhyjë me dhënie subvencionesh për blegtorinë, në të kundërt do të vijojë rënia e numrit të krerëve të kafshëve për qumësht”, pohoi ai më herët.
Sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2025, numri i krerëve të gjedhëve arriti në 274,9 mijë krerë, krahasuar me vitin 2024 numri i tyre ra me 1%.
Rënie është shënuar edhe te krerët e derrave. Për vitin 2025, numri i tyre arriti në 74,7 mijë derra. Në raport me 2024-n, numri i tyre ra me 28%.
Për vitin 2025, në vend numërohen 4,1 krerë pula. Numri i krerëve ka rënë me 8.2% krahasuar me vitin paraardhës. Krahasuar me 2022, periudhën e pandemisë së shpendëve, rënia e tyre është 14.4%.
Shfaqja e gripit të shpendëve në muajin mars 2022 në Shqipëri solli ngordhjen e një numri të lartë shpendësh. Në total, sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2022 numëroheshin rreth 4,9 milionë pula në të gjithë vendin. Krahasuar me 2021, numri i tyre ra me rreth 5%.
Drini Zusi përkundrazi thekson se heqja e taksës doganore, do të jetë masë mbrojtëse, në kushtet kur prodhimi i kafshëve është me rënie dhe dëmton industrinë përpunuese.
“Tarifat doganore janë instrumente proteksioniste që gjejnë përdorim për disa arsye, por një shtet i përdor kryesisht në mbrojtje të prodhimit vendas ose në negociata tregtare me vendet e tjera. Po ne me kë po negociojmë, ose çfarë po mbrojmë? Industrinë vendase të mishit inekzistente?
Për sa kohë të paktën e kemi ende industrinë përpunuese ekzistente dhe madje me standard shumë të mirë, duhet të mbrojmë ata. Më pas, me rritjen e prodhimit vendas dhe garantimin e furnizimit nga prodhimi vendas, ajo tarifë mund të rivihet ose rishikohet sipas situatës gjeopolitike dhe makroekonomike”.
Eksportet, kërkohet hapja e tregut
Përveç heqjes së tarifës doganore 10% për importin e mishit nga BE-ja, industria e përpunimit të mishit kërkon edhe hapjen e eksporteve të produkteve të përpunuara drejt tregut europian.
Përpunuesit argumentojnë se mungesa e aksesit në tregun e BE-së kufizon mundësinë e zgjerimit të prodhimit dhe të investimeve në sektor.
Sipas tyre, kompanitë shqiptare kanë investuar në kapacitete dhe teknologji moderne, por për të zgjeruar tregjet kanë nevojë që Shqipëria të përmbushë kërkesat dhe procedurat e nevojshme për eksportin e produkteve me origjinë shtazore drejt BE-së.
Kërkesa për hapjen e eksporteve lidhet edhe me konkurrueshmërinë e industrisë. Ndërsa përpunuesit shqiptarë përballen me kosto të lëndës së parë dhe me kufizime në tregjet e huaja, hapja e tregut europian do t’u krijonte mundësi për të rritur volumin e prodhimit dhe për të zgjeruar bazën e klientëve.
Drini Zusi thotë se industria i përmbush kushtet për eksport. Sipas tij, tashmë duhet të jenë institucionet shtetërore, ato që të tregojnë garantimin e kushteve të sigurisë në fabrika.
“Tregu shqiptar ka një tavan ekstremisht të ulët dhe asnjë industri apo sektor industrial nuk mund të rritet pa akses në eksport. Sot produktet shtazore shqiptare nuk eksportohen në BE jo se stabilimentet nuk plotësojnë kushtet, pasi më besoni që shumë prej tyre operojnë me standard tejet rigoroz.
Problemi qëndron se BE-ja kërkon që vendet e treta të demonstrojnë sisteme të plota kontrolli veterinar, gjurmueshmërie, kontroll të antimikrobikëve dhe certifikim zyrtar përpara se një kategori produkti shtazor të lejohet të hyjë në tregun europian. Pra autorizimi bëhet në nivel vendi fillimisht.
Prandaj përpara se të jetë detyrë e fabrikave, është detyrë e institucioneve shqiptare që të tregojnë kapacitetet e duhura monitoruese për garantimin e sigurisë ushqimore.
Duhet të kemi sistem veterinar të besueshëm, gjurmueshmëri nga ferma deri te produkti final, laboratorë dhe plane monitorimi të njohura nga BE-ja dhe një administratë që punon me objektivin konkret: hapjen e kategorive të reja të eksportit.
E them me bindje të plotë, që nëse do të ekzistonte vullneti i duhur politik, dhe mbështetja e duhur ekonomike në mënyrë strategjike, ne nuk do të kemi nevojë të diskutojmë si të zëvendësojmë mishin brazilian që importojmë.
Përkundrazi, do të ishim duke diskutuar se si mund ta kthejmë Shqipërinë nga një vend që importon pothuajse të gjithë lëndën e parë, në një vend që prodhon, përpunon dhe eksporton produkte me vlerë të shtuar”.
Në këtë kuadër, industria kërkon që institucionet të përshpejtojnë proceset e auditimit, listimit dhe certifikimit të nevojshëm për eksportet e produkteve të përpunuara të mishit në BE.
Ministria e Bujqësisë nuk iu përgjigj kërkesës së “Monitor” për të argumentuar vendimet për ndalimin e importeve dhe masat që parashikohen për industrinë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor.al