Një valë e paprecedentë alarmesh për bomba në qiejt e Evropës: Kush qëndron pas kërcënimeve, sa kushton devijimi i avionëve dhe kush paguan për avionët luftarakë që i shoqërojnë?
Ekspertët dyshojnë se pas kërcënimeve mund të qëndrojë një operacion i koordinuar, potencialisht i lidhur me shtete të caktuara.
-
Çfarë po ndodh në qiejt e Evropës?
Në këtë pjesë të parë të nëntorit, Evropa po përballet me një valë të paprecedentë alarmesh të rreme për bomba në fluturimet ajrore. Këto alarme kanë shkaktuar ulje të paplanifikuara të avionëve, ndërhyrje të avionëve luftarakë për t’i shoqëruar dhe aktivizimin e masave të sigurisë.
Megjithatë, deri tani asnjë prej kërcënimeve nuk ka rezultuar real.
- Sa alarme janë regjistruar deri tani?
Nuk ekziston një bilanc zyrtar i përgjithshëm. Nga 1 nëntori deri mbrëmë, alarmet kanë përfshirë të paktën 45–50 fluturime dhe rreth 8 mijë pasagjerë.
- A janë goditur më shumë kompani ajrore, aeroporte apo vende të caktuara?
Jo. Nuk rezulton që një kompani ajrore, aeroport apo shtet i veçantë të jetë shënjestruar më shumë se të tjerët.
Pikërisht kjo i shtyn ekspertët e sigurisë ajrore të mendojnë se pjesa më e madhe e incidenteve mund të jetë pjesë e një operacioni të vetëm, të koordinuar nga një qendër e përbashkët.
Megjithatë, ata nuk përjashtojnë që disa prej kërcënimeve të jenë veprime imituese, të frymëzuara nga incidentet e mëparshme.
- Çfarë ndikimi kanë pasur alarmet në trafikun ajror?
Ndikimi ka qenë i kufizuar për sa i përket numrit të fluturimeve të prekura, por i konsiderueshëm për shqetësimet dhe vështirësitë që u janë shkaktuar pasagjerëve.
Gjatë gjashtë ditëve të para të nëntorit, alarmet kanë prekur pothuajse 0,04% të fluturimeve të rregullta ajrore.
- Si mbërrijnë kërcënimet për bomba?
Zakonisht përmes emaileve anonime ose telefonatave drejtuar kompanive ajrore, aeroporteve, kompanive të shërbimeve aeroportuale apo autoriteteve përkatëse.
Autoritetet nuk bëjnë gjithmonë publike mënyrën se si janë marrë kërcënimet, për të mos nxitur persona të tjerë t’i imitojnë autorët dhe për të mos penguar hetimet.
- Kush qëndron pas këtyre kërcënimeve?
Askush nuk e di me siguri. Sipas ekspertëve të kompanisë Osprey Flight Solutions, motivet mund të lidhen me:
– Pretendime apo kërkesa politike.
– Fushata të organizuara nga aktivistë.
– Veprimtari kriminale.
– Operacione hibride të lidhura me shtete të caktuara.
Hipoteza e fundit konsiderohet aktualisht si një nga më të mundshmet.
- Si vlerësohet një kërcënim për bombë në avion?
Fillimisht, departamenti i sigurisë së kompanisë ajrore zbaton një listë të përcaktuar procedurash kontrolli.
Më pas njoftohen autoritetet përkatëse, të cilat mund të urdhërojnë ngritjen e avionëve luftarakë ose devijimin e avionit të pasagjerëve drejt një aeroporti të caktuar, ku mund të kryhet një kontroll i plotë sigurie.
Çdo kërcënim duhet të trajtohet si real derisa të verifikohet dhe të provohet e kundërta.
- Çfarë ndodh kur ndërhyjnë avionët luftarakë?
Aktivizohet procedura e njohur si scramble, që nënkupton ngritjen e menjëhershme në fluturim të avionëve luftarakë të gatishmërisë.
Zakonisht ngrihen dy avionë luftarakë. Ata i afrohen avionit të pasagjerëve dhe e shoqërojnë deri në ulje, pa pasur si qëllim rrëzimin e tij.
Misioni i tyre është të mbikëqyrin vizualisht avionin dhe ta mbajnë larg zonave të banuara dhe objekteve të ndjeshme.
- Çfarë ndodh me avionin pasi ulet në aeroport?
Avioni izolohet në një zonë të veçantë të aeroportit.
Pasagjerët zbresin, ndërsa specialistët e çaktivizimit të eksplozivëve kontrollojnë kabinën, hapësirat e bagazheve dhe të gjitha valixhet.
Pas përfundimit të kontrolleve, gjithçka ngarkohet sërish në avion.
- Sa i kushton një kompanie ajrore devijimi i një fluturimi?
Sipas vlerësimeve orientuese të sektorit të aviacionit, kostoja e devijimit të një avioni varion në bazë të llojit të fluturimit.
Kostoja e vlerësuar për një devijim fluturimi me distancë të shkurtër, avion me një korridor
është 55–75 mijë €. Fluturim me distancë të gjatë shkon deri 150 mijë €. Këto janë shifra orientuese dhe jo kosto fikse për çdo incident.
- Kush paguan për avionët luftarakë dhe sa kushton ndërhyrja e tyre?
Koston nuk e mbulojnë kompanitë ajrore, por shteti. Kjo do të thotë se shpenzimet përballohen nga taksapaguesit.
Çdo orë fluturimi e një avioni luftarak Eurofighter kushton rreth 75 mijë euro. Pra, përveç kostove që përballojnë kompanitë ajrore, alarmet e rreme krijojnë edhe shpenzime të konsiderueshme për buxhetet publike.
- Çfarë thonë kompanitë ajrore?
Ben Smith, drejtuesi kryesor i grupit Air France-KLM, deklaroi se nuk kishte parë kurrë më parë kërcënime të raportuara në një mënyrë kaq të koordinuar.
Shqetësimi kryesor i kompanive ajrore është se një fushatë e tillë mund të frikësojë qytetarët dhe të bëjë që shumë prej tyre të heqin dorë nga rezervimi i udhëtimeve.
- A janë kompanitë ajrore të detyruara t’i dëmshpërblejnë pasagjerët kur një fluturim devijohet për shkak të alarmit për bombë?
Jo. Dëmshpërblimi, i cili është i ndryshëm nga rimbursimi i çmimit të biletës, nuk është i detyrueshëm në këto raste. Arsyeja është se një kërcënim për bombë konsiderohet rrethanë e jashtëzakonshme, jashtë kontrollit të kompanisë ajrore.
- Çfarë pritet të ndodhë në ditët e ardhshme?
Sipas ekspertëve, vala e alarmeve të rreme ka gjasa të vazhdojë, edhe për shkak të vëmendjes së madhe që këto incidente po marrin në media. Megjithatë, shqetësimi i tyre kryesor është një tjetër. Rritja e vazhdueshme e numrit të alarmeve mund të bëjë që autoritetet dhe publiku të ulin shkallën e vigjilencës. Rreziku është që, në një atmosferë të mbushur me kërcënime të rreme, të përfitojnë persona që kanë vërtet qëllime kriminale.