Një shqiptar nga Saranda ka mbetur i plagosur rëndë pas një atentati me armë zjarri në Athinë. Policia greke ka identifikuar të plagosurin si Helis Çato, 38 vjeç, banues në lagjen nr. 1 të Sarandës.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e kaluar në zonën e Kolonos, pranë një kishe, ku ndaj 38-vjeçarit dyshohet se është qëlluar me armë zjarri dy herë.
Pasi u godit nga një plumb, Çato arriti të largohej nga vendi i ngjarjes dhe të shkonte drejt automjetit të tij, i cili ishte parkuar rreth 150 metra më larg. Aty u gjet nga policia dhe u transportua në spital, ku mësohet se ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ndërkohë, autoritetet greke kanë arrestuar dy të mitur, shqiptarin Flavio Keqi, 16 vjeç, dhe shtetasin grek Ioannis Karikis, po 16 vjeç.
Sipas informacioneve paraprake, dy të miturit ndodheshin në shoqërinë e Çatos në momentin e atentatit dhe më pas tentuan të largoheshin. Ata u arrestuan për mosbindje ndaj urdhrit të policisë.
Deri më tani, mbetet e paqartë se kush qëndron pas tentativës së vrasjes dhe kush ka qëlluar ndaj shqiptarit.
Ndërkohë, sipas mediave greke, Helis Çato rezulton i shpallur në kërkim nga policia greke, në kuadër të një operacioni të zhvilluar në qershor të këtij viti kundër një grupi kriminal të dyshuar për trafikimin e kokainës.
Gjatë atij operacioni u arrestuan nëntë persona dhe u shpallën në kërkim katër të tjerë. Në total, grupi përbëhej nga 11 shqiptarë dhe tre shtetas grekë, ndërsa gjatë ndërhyrjes u sekuestruan edhe armë zjarri.

