Paraguai në kaos pas krizës financiare: Arrestohet Presidenti, vendi shpërthen në protestë

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 07.11.2026, 13:31

Paraguai është përfshirë nga një krizë e thellë politike dhe financiare, e cila ka përfunduar me shkarkimin dhe arrestimin e presidentit Santiago Peña. Protestat masive kanë pushtuar kryeqytetin Asunción, ndërsa situata ka përçarë edhe partinë e tij, Colorado, e cila i ka kthyer shpinën kreut të shtetit.

Shkak për krizën u bë vendimi për shpalljen në falimentim të bankës digjitale Ueno Bank, ku miliona qytetarë dhe institucione publike kishin depozituar paratë e tyre. Pas këtij vendimi, klientët mbetën pa mundësi për të aksesuar llogaritë dhe fondet e tyre.

Çështja mori përmasa edhe më të mëdha për shkak të lidhjeve të mëparshme të Peña-s me kompaninë mëmë të bankës, në të cilën ai kishte pasur aksione. Presidenti i ka mohuar akuzat se ka ndërhyrë për të mbrojtur bankën nga kontrollet dhe inspektimet.

Përballë zemërimit të qytetarëve dhe presionit politik, Peña njoftoi fillimisht dorëheqjen përmes një deklarate në Facebook, duke pretenduar se synonte të rikthente qetësinë në vend. Ai u shpreh se dëshira e tij më e madhe ishte që klientët e bankës të merrnin sërish paratë e tyre.

Megjithatë, dorëheqja nuk u pranua nga deputetët, të cilët vendosën të vijonin procedurat për shkarkimin e tij. Çështja kaloi në Senat, ku Peña nuk u paraqit vetë për t'u mbrojtur, por u përfaqësua nga avokati Ricardo Preda. Ky i fundit argumentoi se presidenti po akuzohej për veprime që, sipas tij, ishin në kompetencën e institucioneve të tjera, përfshirë Bankën Qendrore dhe Institutin e Sigurimeve Shoqërore.

Senati votoi unanimisht për shkarkimin e Peña-s, me argumentin e shkeljes së detyrës zyrtare. Vendimi ishte vendimtar edhe për fatin e tij juridik, pasi pranimi i dorëheqjes do t'i mundësonte ruajtjen e imunitetit presidencial dhe do ta mbronte nga hetimet gjyqësore.

Menjëherë pas shkarkimit, Policia Kombëtare lëshoi urdhër-arrestin ndaj tij. Peña akuzohet për shpërdorim besimi, ushtrim të ndikimit të paligjshëm dhe përvetësim fondesh. Ai u vendos në arrest shtëpie, ndërsa forcat e policisë rrethuan banesën e tij, ku u mblodhën edhe protestues të shumtë.

Në krye të shtetit pritet të vijë Pedro Alliana, i cili do të përfundojë mandatin e nisur në vitin 2023, deri në gusht të vitit 2028. Sfida e tij e parë do të jetë përballja me krizën financiare dhe rikthimi i besimit të qytetarëve, të cilët kërkojnë të marrin mbrapsht kursimet e tyre.

Alliana ka deklaruar se qytetarët e prekur nga kolapsi financiar do të dëmshpërblehen plotësisht.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit