Abissnet Superiore ka dhuruar emocione në dy sfidat e fundit, me Tiranën dhe Partizanin që kanë arritur të marrin fitore të rëndësishme në kampionat. Bardheblutë triumfuan përballë Teutës në “Selman Stërmasi”, ndërsa të kuqtë mposhtën Laçin në transfertë, duke siguruar tri pikë me shumë vlera në garën për renditjen.
Tirana u rikthye te fitorja falë një goli të Dacit në minutën e 87-të. Sulmuesi përfitoi nga një aksion i bukur i organizuar nga Xhixha, duke dërguar topin në rrjetë dhe duke vulosur suksesin e kryeqytetasve. Megjithatë, protagonistët kryesorë të takimit ishin portierët.
Bekaj zhvilloi një paraqitje fantastike, duke ndalur disa raste të pastra të Teutës, veçanërisht në duelet me nigerianin Umejiego. Nga ana tjetër, Bernandoni priti një penallti të Kish në minutën e 50-të dhe realizoi një tjetër ndërhyrje vendimtare ndaj Dacit në të 82-tën, por nuk mundi të shmangte golin vendimtar.
Ndërkohë, Partizani regjistroi fitoren e dytë radhazi, duke mposhtur Laçin me rezultatin 1-0. Heroi i të kuqve ishte Sebastjan Spahiu, i cili realizoi nga pika e bardhë në minutën e 19-të. 27-vjeçari zgjodhi të mos festonte, duke u kërkuar falje ish-tifozëve të tij kurbinas.
Sa i përket klasifikimit, Tirana renditet në vendin e katërt me 15 pikë, ndërsa Partizani ngjitet në kuotën e 10 pikëve, duke lënë përkohësisht vendin e fundit. Laçi mbetet i teti me 11 pikë, ndërsa Teuta mban vendin e dytë me 20 pikë.
