Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë që të marrin pjesë në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar, të cilat mbahen të dielën, më 8 nëntor.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se 37.759 shqiptarë janë regjistruar në Listën e Posaçme Zgjedhore dhe kanë të drejtë vote. Në garë janë katër lista me gjithsej 107 kandidatë, të cilët synojnë të fitojnë një nga 29 vendet në Këshillin Kombëtar Shqiptar.
Kurti ka vënë në dukje se këto zgjedhje shënojnë rikthimin e këtij institucioni në përbërjen e plotë prej 29 anëtarësh, pas më shumë se një dekade me vetëm 15 përfaqësues. Ky ndryshim është bërë i mundur pas rezultateve të regjistrimit të popullsisë të vitit 2022.
“Një rikthim i rëndësishëm për përfaqësimin e shqiptarëve dhe të drejtat e tyre kolektive”, ka shkruar Kurti.
Ai ka rikujtuar se Këshilli Kombëtar Shqiptar ushtron kompetenca publike në katër fusha kryesore: arsim, kulturë, informim dhe përdorim zyrtar të gjuhës dhe shkrimit shqip.
Në reagimin e tij, kryeministri i Kosovës ka përmendur edhe vështirësitë me të cilat përballen shqiptarët në këto tri komuna, duke iu referuar pasivizimit të adresave, diskriminimit dhe përfaqësimit të kufizuar në institucionet e Serbisë.
“Pavarësisht pengesave nga institucionet e shtetit serb, pasivizimit të adresave, diskriminimit dhe nënpërfaqësimit institucional, shqiptarët vazhdojnë të këmbëngulin për të drejtat e tyre dhe për të ardhmen në vendlindje”, ka deklaruar ai.
Kurti ka theksuar se Qeveria e Kosovës do të vijojë mbështetjen për shqiptarët e Luginës së Preshevës, përmes sigurimit të teksteve mësimore, bursave për nxënësit dhe studentët, si dhe ndihmës për aktivitetet kulturore dhe institucionet përfaqësuese.
Në përfundim, ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në votime dhe të zgjedhin përfaqësuesit e tyre sipas bindjes personale.
“Nesër, ju ftoj të merrni pjesë në zgjedhje dhe ta ushtroni të drejtën tuaj demokratike të votës, lirshëm e sipas bindjes suaj”, ka shkruar kryeministri i Kosovës.

