Prurjet e reja te Kosova, puna e Franco Fodës dhe ëndrra për Euro 2028 – Samir Ujkani, mysafir në “Arena e Yjeve”

Në episodin e radhës të podcastit “Arena e Yjeve”, mysafir është ish-kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Samir Ujkani, tashmë zëvendësdrejtor i ekipit kombëtar. Ai flet për zhvillimet e fundit te “Dardanët” siç janë tri prurjet e reja, punën e Franco Fodës dhe objektivin madhor të Kombëtares. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorit zyrtar Exfis.
Gjatë bisedës, Ujkani ndalet te dy ndeshjet e radhës të Kosovës, ndaj Izraelit dhe Irlandës, duke folur për rëndësinë e tyre dhe pritshmëritë e përfaqësueses në këto përballje. Ai shpjegon se çfarë kërkon Kosova në këtë fazë dhe sa të rëndësishme janë rezultatet për rrugëtimin e ekipit kombëtar.
Një pjesë e rëndësishme e intervistës i kushtohet punës së përzgjedhësit Franco Foda. Ujkani flet për mënyrën se si trajneri gjerman po e udhëheq Kombëtaren, filozofinë e tij të punës dhe ndikimin që ka pasur në ekip që nga ardhja në krye të “Dardanëve”.
Ish-kapiteni ndalet edhe te tri prurjet e reja në Kombëtaren e Kosovës: Lindrit Kamberi, Bleon Kurtulus dhe Enis Rexhepi. Ai flet për rëndësinë e këtyre futbollistëve për Kombëtaren, pritshmëritë ndaj tyre dhe mënyrën se si mund të kontribuojnë në projektin e ekipit kombëtar.

Euro 2028 është një tjetër prej temave kryesore të kësaj bisede. Ujkani shpalos ambiciet e Kosovës për të ardhmen dhe flet për misionin që ka ekipi kombëtar në vitet e ardhshme, me synimin për të vazhduar rritjen dhe për të arritur në një kompeticion të madh ndërkombëtar.
Në këtë episod, ai rikthehet edhe te karriera e tij si portier, duke kujtuar periudhën e gjatë në futbollin italian. Ujkani tregon se në cilin klub është ndier më mirë gjatë aventurës së tij si futbollist, duke ndarë kujtime nga një karrierë që e çoi në disa prej skuadrave të njohura të futbollit italian.
Nga përvoja si kapiten i Kosovës te përgjegjësitë e reja në strukturat e ekipit kombëtar, Ujkani flet edhe për ndryshimin e rolit dhe mënyrën se si përpiqet të kontribuojë në zhvillimin e Kombëtares. Ai ndan këndvështrimin e tij për të ardhmen e “Dardanëve” dhe rrugën që duhet ndjekur për ta realizuar objektivin e madh.
Episodin e plotë me Samir Ujkanin mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube./Telegrafi/











































