Klubi i futbollit Llapi ka reaguar zyrtarisht ndaj vendimeve të gjyqtarëve në tri ndeshjet e fundit. Klubi ka shprehur pakënaqësinë për anulimin e tre golave në përballjet me Feronikelin 74, Prishtinën dhe Dukagjinin. Llapi kërkon sqarime nga organet përgjegjëse të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK). Klubi nga Podujeva vë në pikëpyetje mënyrën e menaxhimit të situatave të diskutueshme, veçanërisht në ndeshjet ku është në dispozicion sistemi VAR.
Në reagimin e tij, Llapi ka rikthyer fillimisht në vëmendje rastin nga ndeshja ndaj Prishtinës. Në atë ndeshje, goli i Fiton Ademit u anulua për shkak të një faulli të pretenduar në sulm. Sipas klubit llapjan, në pamjet që posedon nuk vërehet ndonjë kontakt me mbrojtësin kundërshtar që do ta justifikonte vendimin e gjyqtarit.
Pakënaqësi të ngjashme Llapi ka shprehur edhe për episodin në ndeshjen e fundit ndaj Dukagjinit në Klinë. Në këtë rast, gjyqtari kishte sinjalizuar faull ndaj portierit para se topi të përfundonte në rrjetë. Kjo bëri që aksioni të mos vazhdonte deri në fund dhe të mos mund të shqyrtohej përmes VAR-it. “Pse nuk lejohen të përfundojnë këto aksione dhe më pas të shqyrtohen situatat përmes VAR-it, sipas protokollit përkatës?”, thuhet në reagimin e klubit.
Llapi kërkon sqarime nga FFK-ja për arbitrimin në Kosovë
Llapi ka ngritur pikëpyetje edhe për anulimin e golit në përballjen me Feronikelin 74. Goli u anulua pas një prekjeje të topit me dorë nga Gentrit Jaha. Sipas pretendimeve të klubit, topi kishte ardhur pas një devijimi nga lojtari kundërshtar. Klubi pohon se prekja me dorë nuk kishte qenë e qëllimshme.
Në fund, Llapi u ka bërë thirrje organeve përgjegjëse të arbitrimit në FFK që t’i shqyrtojnë me seriozitet të tri rastet. Klubi kërkon sqarimet e nevojshme për vendimet që kanë ndikuar në këto ndeshje. Klubi podujevas kërkon transparencë dhe një vlerësim të qartë të episodeve. Sipas tij, këto episode kanë ngritur shqetësime të vazhdueshme për drejtësinë e vendimeve të gjyqtarëve.
