Një cigare e lënë ndezur dyshohet se është bërë shkak për një zjarr që përfshiu pasditen e kësaj të shtune një apartament në katin e parë të një pallati 4-katësh në lagjen “Skënderbeg” në Lezhë.
Sipas njoftimit të Policisë, zjarri ka rënë rreth orës 16:30 në banesën e një shtetasi me inicialet A. L., duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Për shkak të tymit të dendur që u përhap në të gjithë godinën, banorët janë evakuuar nga shërbimet zjarrfikëse dhe efektivët që mbërritën në vendngjarje.
Si pasojë e tymit, disa prej banorëve kanë shfaqur shenja asfiksie dhe kanë pësuar lëndime, ndaj janë transportuar në Spitalin Rajonal të Lezhës për të marrë ndihmë mjekësore. Sipas raportimeve të mediave, bëhet fjalë për 8 persona, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, personi në banesën e të cilit dyshohet se nisi zjarri është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Lezhë për veprime të mëtejshme procedurale.