“Bëhuni ndërtues urash”/ Papa Leoni në Uruguai, mbi 40 mijë besimtarë mblidhen në Meshën e shenjtë

07/11/2026 19:31

Papa Leoni ka zhvilluar ditën e dytë të vizitës së tij në Uruguai, ku rreth 40 mijë besimtarë u mblodhën për të marrë pjesë në Meshën e shenjtë në qytetin e Paysandú, një prej qyteteve më të populluara të vendit.

Gjatë predikimit të tij, Papa përdori simbolikën e urës që lidh qytetin me Argjentinën, për të përcjellë një mesazh mbi rëndësinë e bashkimit, komunikimit dhe forcimit të marrëdhënieve mes njerëzve.

“Bëhuni ndërtues urash”, ishte thirrja e tij drejtuar besimtarëve, duke theksuar se të gjithë janë të thirrur të krijojnë lidhje, të afrojnë njerëzit dhe të ndërtojnë ura mirëkuptimi.

Megjithatë, Papa Leoni nënvizoi se këto ura duhet të kenë themele të forta, në mënyrë që të mos shemben përballë vështirësive dhe sfidave.

Në mesazhin e tij, ai u bëri thirrje besimtarëve të udhëheqin fëmijët dhe të rinjtë drejt besimit, të qëndrojnë pranë familjeve, të mbështesin të moshuarit dhe të praktikojnë vepra bamirësie.

“Përcillni besimin te brezat e ardhshëm me guxim krijues”, ishte një tjetër prej mesazheve të Papës gjatë vizitës në Uruguai.

Top Channel