Ministria e Drejtësisë publikon bilancin e Ndihmës Juridike Falas
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, përmes një reagimi në rrjetet sociale ka theksuar përkushtimin e institucionit për garantimin e barazisë përpara ligjit, duke nënvisuar se barazia ekonomike nuk duhet të përbëjë pengesë për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.
Në mesazhin e tij publik, Gogu vuri në dukje rëndësinë e shërbimeve ligjore pa pagesë për kategoritë në nevojë.
“Përmes këshillimit ligjor falas, informimit dhe përfaqësimit në gjykatë, vijojmë të mbështesim qytetarët në njohjen, ushtrimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre. Aksesi në drejtësi nuk është privilegj, por një e drejtë që duhet të garantohet në praktikë”, shkruan Gogu.
Bilanci javor i shërbimeve dhe financimit
Krahas deklaratës, Ministria e Drejtësisë ka publikuar tabelën me të dhënat javore të punës së Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas, ku pasqyrohen shërbimet e ofruara për qytetarët si dhe pagesat e kryera për profesionalistët e angazhuar.
Sipas të dhënave zyrtare, përgjatë javës janë regjistruar këto rezultate kryesore:
Ndihmë juridike parësore (këshillim) 135 qytetarë
Ndihmë juridike dytësore (përfaqësim në gjykatë)
43 qytetarë
Aktivitete informuese për referimin e rasteve 17 aktivitete
Qytetarë të informuar mbi shërbimet 164 qytetarë
Pagesa për avokatë dhe ekspertë 16 pagesa
Fonde të likuiduara 640.000 Lekë
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, këto masa synojnë rritjen e aksesueshmërisë së sistemit të drejtësisë për të gjithë shtresat shoqërore përmes mbështetjes direkte financiare dhe procedurale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




