VIDEO/ Berisha: Ata që tentuan të përçajnë protestën dështuan me turp, PD qëndroi e palëkundur ...

20:59, 07/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

"Ata që tentuan të përçajnë protestën dështuan me turp, PD qëndroi e palëkundur dhe shpalli parimin e padëgjuar në 35 vite, armiku i armikut tim është aleati im". Ky ishte reagimi i liderit të PD-së, Sali Berisha zërave dhe akuzave që Partia Demokratike ka ndërhyrë dhe ka përçarë protestën kombëtare studentore.

Berisha doli sot në mbrëmje në një konferencë për median ku përshëndeti mijëra të rinj që protestuan këtë të shtunë në Tiranë duke thënë se ata hodhën në kosh dekretet diktatoriale të Edi Ramës. 

Pjese nga Konferenca

Albi Rakip: Zoti Berisha, si i përgjigjeni zërave dhe akuzave të ndryshme që Partia Demokratike ka ndërhyrë dhe ka përçarë protestën kombëtare studentore.

Sali Berisha: Absolutisht, përkundrazi. Ne kemi mbështetur fuqishëm protestën, fuqishëm. 
Ne e kemi theksuar edhe një herë. Në këtë protestë, cilido që përpiqet të falsifikojë apo mashtrojë gabon, kjo është protestë e thirrur nga sindikata e pavarur e universitetit. 

Kësaj proteste strukturat tona rinore në universitete i janë përgjigjur menjëherë, nuk janë të vetme, janë përgjigjur bashkë me grupe apo struktura të tjera. Përkundrazi, e vërteta është që Partia Demokratike me një seri masash konkrete është përpjekur të kontribuojë, të mbështesë protestën dhe studentët, gjimnazistët në revoltë. 

Së dyti, ka ndërmarrë hapa konkrete me të cilat ajo ka mbrojtur studentët, gjimnazistët dhe këtë lëvizje brenda dhe jashtë vendit. Janë qindra e qindra protestues, studentë dhe qytetarë të cilët kanë patur përkujdesjen e plotë të deputetëve të Partisë Demokratike në komisariate, në spitale. 

Zyra ligjore, sekretariati ligjor i Partisë Demokratike ju ka ofruar shërbime mbi 600 protestuesve, studentë dhe qytetarë që kanë patur nevojë për shërbime ligjore. Në asnjë rrethanë nuk kemi bërë as dhe një hap më të vogël dhe nuk bëjmë në përçarje të asnjë proteste. 

Përkundrazi, kemi bërë gjithçka dhe do bëjmë për suksesin e saj. Ata të cilët përdorin modelin me të cilin asgjësuan protestën më gjigante në historinë e vendit, më të bukur, më të jashtëzakonshme siç ishte ajo e flamingove, ata përpiqen të përdorin po atë teknikë, por i garantoj se nuk do kenë sukses. 
Partia Demokratike është e zotuar të bashkëpunojë me cilindo që beson se Edi Rama është e keqja më e madhe. Por ajo nuk impresionohet kurrë nga ata që përdorin armën kryesore strategjike të propagandës qeveritare në mbrojtje të qeverisë. 

E kjo armë në ABC-në e propagandës konsiston në sulmin kur një qeveri apo një kryeministër zhytet në skandale, kapet si hajdut, kapet në krime, aktin e parë bën, krahason veten me dikë tjetër që s'ka kryer asnjë krim, që s'ka bërë asnjë skandal, me një forcë tjetër politike ta zëmë që është në opozitë prej 13 vitesh dhe me këto ai godet përgjegjësinë. 

Me këto ai duke barazuar, godet vetë demokracinë, e boshatis, e zbraz atë, përderisa kryeministri që ka vjedhur miliarda, që ka kryer një seri krimesh, qenka njëlloj me një tjetër, atëherë edhe kjo narkokraci, edhe kjo kakistokraci, edhe kjo kleptokraci nuk qenka ndonjë problem i madh mbasi qenka dhe ky tjetri apo dhe kjo tjetra kështu. 

Kështu që, në rast se ato armë përdoren me besimin e verbër se do mund të likuidonin apo asgjësonin Partinë Demokratike, opozitën, besoj se kanë marrë përgjigjen më të merituar. 

Partia Demokratike qëndroi e fortë e palëkundur në normat e saj morale dhe parimet që beson. Ajo mbështeti me të gjithë fuqinë e saj flamingon. 

Ajo jo që s'bëri përpjekje për ta përçarë po u përpoq sa mundi që të ishte, dhe shpalli parimin e padëgjuar në 35 vite në këtë vend, armiku i armikut tim është aleati im. Në këtë ne ishim të hapur, ne nuk fshehëm asgjë në qëndrimet tona, ndaj dhe shqiptarët e vlerësuan. 

Kështu që, në fund të këtij procesi siç ishte protesta e jashtëzakonshme e flamingove, ata që menduan se do kishin një skenar serb, ata dështuan me turp siç e meritonin. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco