Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, ka zgjedhur liderin e opozitës, Gadi Eisenkot, për t’i dhënë mandatin e formimit të qeverisë së re, në një zhvillim që përbën një goditje politike për kryeministrin Benjamin Netanyahu.

Vendimi vjen pas zgjedhjeve parlamentare të 27 tetorit, të cilat nuk prodhuan një shumicë të qartë në Knesset. Eisenkot, kreu i partisë Yashar, mori mbështetjen e 67 prej 120 deputetëve, ndërsa Netanyahu u mbështet nga 46 parlamentarë.

Pas përfundimit të konsultimeve me partitë politike, Herzog kishte paralajmëruar se pavarësisht epërsisë së Eisenkotit, krijimi i një koalicioni mbetet i ndërlikuar për shkak të kundërshtive mes forcave politike.

Vendimtare për mbështetjen e Eisenkotit ishte edhe përkrahja e dy partive arabe, Ra’am dhe Lista e Përbashkët, të cilat kanë gjithsej 19 mandate parlamentare. Megjithatë, kjo mbështetje nuk nënkupton domosdoshmërisht pjesëmarrjen e tyre në qeverinë e ardhshme.

Eisenkot do të ketë 28 ditë kohë për të formuar një koalicion qeverisës, me mundësinë e një zgjatjeje prej 14 ditësh nga Presidenti Herzog.

Nëse dështon, mandati mund t’i kalojë një deputeti tjetër, ndërsa në rast se edhe përpjekjet e mëtejshme nuk japin rezultat, Izraeli mund të shkojë në zgjedhje të reja.

Ndërkohë, Netanyahu do të vijojë të qëndrojë në detyrë si kryeministër në largim deri në formimin dhe betimin e qeverisë së re.

Pavarësisht se ka siguruar mbështetjen më të madhe për marrjen e mandatit, Eisenkot përballet me sfidën e krijimit të një shumice funksionale, pasi disa prej aleatëve të tij politikë kanë përjashtuar bashkëpunimin me partitë arabe.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb