Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka marrë pjesë në hapjen e edicionit të katërt të “Swiss Medical School”, të mbajtur më 7 nëntor 2026, ku ka vlerësuar bashkëpunimin ndërmjet mjekëve shqiptarë në diasporë dhe profesionistëve shëndetësorë në Kosovë.
Kurti ka thënë se gjatë vitit 2025, 171 mjekë janë kthyer për të jetuar dhe punuar në Kosovë, duke e cilësuar këtë si një zhvillim pozitiv përballë dukurisë së largimit të profesionistëve shëndetësorë.
Ai ka theksuar se Qeveria synon të mbështesë mjekët me kushte më të mira pune, pajisje bashkëkohore dhe mundësi të reja trajnimi.
Kurti ka përmendur investimet në shërbimet shëndetësore, përfshirë mbi 5.5 milionë euro në Gjinekologji, rreth 1.45 milionë euro në Kardiologjinë Invazive të QKUK-së dhe mbi tre milionë euro në Neurokirurgji dhe Kirurgji Vaskulare, shkruan RTK.
Ai ka bërë të ditur se buxheti për Listën e Barnave Esenciale është rritur nga 35 milionë euro në vitin 2019 në 64 milionë euro këtë vit, ndërsa buxheti për barnat e pacientëve onkologjikë nga 8 në 22 milionë euro.
Në fjalën e tij, Kurti ka vlerësuar kontributin e mjekëve të diasporës, të cilët kthehen për të ligjëruar, trajnuar profesionistët e rinj dhe për të bashkëpunuar me ekipet shëndetësore në Kosovë. Ai ka thënë se ky bashkëpunim duhet të vazhdojë edhe pas përfundimit të këtij takimi.