E shtunë, 7 Nëntor 2026 Film TV deri në 23:00 Në vijim ora 23:00: Lajmet e Fundit dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Humbja në zgjedhjet e mesmandatit, Trump nis ndryshimet e para në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka nisur lëvizjet e para pas disfatës që republikanët pësuan në zgjedhjet e mesmandatit.

Trump ka urdhëruar Departamentin e Drejtësisë të hetojë demokratët, ndërsa ka bërë edhe ndryshimin e parë të rëndësishëm në stafin e Shtëpisë së Bardhë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Trump akuzoi demokratët se po kërcënojnë zyrtarë të administratës së tij, donatorë republikanë dhe mbështetës të partisë me procedura shkarkimi dhe masa të tjera ndëshkuese. Ai i cilësoi këto veprime si “zhvatje në nivelin më të lartë” dhe kërkoi nga Departamenti i Drejtësisë nisjen e menjëhershme të një hetimi, pa paraqitur prova publike për akuzat e tij.

Ndërkohë, Trump njoftoi emërimin e Stephen Millerit si shef të ri të stafit të Shtëpisë së Bardhë, në vend të Susie Wiles, e cila largohet nga ky pozicion pas humbjes së republikanëve në zgjedhje. Miller, një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të presidentit, pritet të marrë zyrtarisht detyrën më 9 nëntor.

Reklamë

Emërimi i tij ka shkaktuar reagime të forta në radhët e demokratëve. Kreu i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, deklaroi se Trump nuk ka nxjerrë mësime nga disfata zgjedhore, duke e cilësuar Millerin si arkitekt të disa prej politikave më të ashpra të administratës. Edhe kreu i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, reagoi ashpër ndaj këtij vendimi.

Stephen Miller është një prej figurave kryesore të politikave të Trumpit, veçanërisht në fushën e emigracionit, deportimeve masive dhe zgjerimit të kompetencave ekzekutive të presidentit.

Ndryshimi në krye të stafit shihet si një sinjal se Trump nuk ka ndërmend të zbusë qëndrimet pas humbjes zgjedhore. Përkundrazi, promovimi i Millerit pritet të forcojë krahun më të ashpër të lëvizjes MAGA dhe të ndikojë në përplasjen e ardhshme me Kongresin e kontrolluar nga demokratët.

Susie Wiles, gruaja e parë që mbajti postin e shefes së stafit të Shtëpisë së Bardhë, do të kalojë në strukturat politike të Trumpit. Largimi i saj vjen në një moment tensioni të lartë brenda administratës, ndërsa emërimi i Millerit sinjalizon një fazë të re më konfrontuese në politikën amerikane.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.