Edi Rama nën hetim nga SPAK, deputeti nxjerr dokumentin (VIDEO)
Deputeti Agron Shehaj ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me hetimet e Prokurorisë së Posaçme për projektet turistike në territoret e mbrojtura, duke deklaruar se në hetim është kryeministri Edi Rama.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Shehaj ka publikuar dokumentin që lidhet me regjistrimin e procedimit penal nga SPAK, duke e cilësuar zhvillimin si një moment të rëndësishëm në çështjen e njohur si “Albanian Files”.
“Lajm i jashtëzakonshëm! Edi Rama, nën hetim nga SPAK për ndarjen e Shqipërisë në copa me miqtë e vet. Radha e tij të përballet me drejtësinë!”, shkruan Shehaj.
Çështja lidhet me kallëzimin penal të depozituar më 12 gusht 2025 nga një grup ekspertësh dhe protestuesish, të cilët kanë kërkuar hetimin e vendimmarrjeve që kanë mundësuar zhvillimin e projekteve turistike në territore me status të mbrojtur.
Në fokus janë projektet në Zvërnec, Baks-Rrjoll dhe Divjakë-Karavasta, ku kallëzuesit kanë ngritur dyshime për shpërdorim detyre, korrupsion dhe ndikim të paligjshëm. Në kallëzim përfshihen kryeministri, funksionarë të tjerë publikë dhe subjekte private të lidhura me këto projekte.
Ndërkohë, kallëzuesit kërkojnë që hetimet të mos kufizohen vetëm te projektet e përmendura, por të shtrihen edhe në vendimmarrje të tjera që kanë lejuar ndërtimin e resorteve turistike në zona të mbrojtura.
Dosja “Albanian Files” rikthen kështu në vëmendje një prej çështjeve më të debatueshme të zhvillimit urban dhe turistik në Shqipëri, atë të marrëdhënies mes vendimmarrjes politike, interesave private dhe mbrojtjes së territoreve natyrore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



