Enkelejda Veliu fiton garën për kreun e PD-së në Fier
Mposht Ardian Ferron me vetëm 4 vota diferencë
Ka përfunduar procesi i votimit dhe numërimit për zgjedhjen e kryetarit të degës së Partisë Demokratike në Fier. Enkelejda Veliu është shpallur fituese e garës, duke siguruar 196 vota dhe duke lënë pas Ardian Ferron, i cili mori 192 vota.
Rezultati tregon një garë tepër të ngushtë, me vetëm katër vota diferencë mes dy kandidatëve kryesorë. Ndërkohë, kandidatët e tjerë morën këto rezultate: Festim Metaj 154 vota, Gentian Koçi 151 vota dhe Fatjon Semanjaku 137 vota.
Në proces morën pjesë gjithsej 834 anëtarë të Partisë Demokratike. Nga votat e numëruara, 8 rezultuan të pavlefshme, ndërsa një tjetër ishte e dëmtuar.
Pas shpalljes së rezultatit, Veliu u shpreh se gara nuk duhet parë si një përballje mes demokratëve, por si një proces ku të gjithë duhet të kontribuojnë për forcimin e degës.
“Do të thotë që duhet të punojmë shumë. Sonte kemi fituar të gjithë”, deklaroi ajo, duke komentuar diferencën e ngushtë me kundërshtarin e saj.
Në mesazhin drejtuar demokratëve, Veliu falënderoi mbështetësit dhe u angazhua të jetë pranë çdo anëtari të Partisë Demokratike.
Zgjedhja e saj shënon gjithashtu një moment të veçantë për strukturën lokale të PD-së, pasi për herë të parë në historinë e degës së Fierit, drejtimin e saj e merr një grua.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



