Një konflikt mes disa personave ka degjeneruar në përplasje fizike pasditen e sotme në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë. Gjatë sherrit, njëri prej të përfshirëve dyshohet se ka pasur me vete edhe një mjet prerës, thikë.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka ndërhyrë për të neutralizuar konfliktin. Gjatë ndërhyrjes, një prej personave të përfshirë është larguar me vrap, duke detyruar efektivët të qëllojnë me armë zjarri në ajër për ta ndaluar.
Megjithatë, personi nuk është bindur dhe ka vijuar largimin, por është kapur nga policia disa metra më tutje.
Të gjithë personat e përfshirë në konflikt janë shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme hetimore.
Fatmirësisht, nga përplasja nuk raportohet për persona të lënduar. Policia pritet të sqarojë rrethanat dhe shkaqet që çuan në konflikt.

