Një aksident i rëndë rrugor në Serbi, i ndodhur dje, ka përfshirë biznesmenin nga Drenasi, Faton Seferi, bashkëshorten dhe katër fëmijët e tyre. Sipas njoftimit të tij në rrjetet sociale, asnjëri prej tyre nuk ka pësuar lëndime dhe të gjithë janë kthyer shëndoshë e mirë në shtëpi.
Shpëtimin e të gjashtë anëtarëve të familjes, Seferi e ka përshkruar si mrekulli, duke i shprehur falënderim Zotit. Në postimin e tij, ai u ka kushtuar mirënjohje të veçantë udhëtarëve që ndaluan pranë vendngjarjes dhe i ndihmuan të dilnin nga automjeti, por edhe miqve e familjarëve që i mbështetën gjatë atyre çasteve të rënda.
Të lidhura
None found
Mes personave që ka falënderuar janë edhe Dirk Wurm, nënkryetar i Augsburgut, dhe Glauk Konjufca, ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës. Siç ka treguar biznesmeni, të dy e kanë marrë menjëherë në kontakt dhe i kanë ofruar ndihmë.
Të afërmit e kanë pritur familjen pas mbërritjes në shtëpi. Për Seferin, pas gjithë frikës së kaluar, çasti më i bukur ka qenë ai kur ka mundur të përqafojë përsëri njerëzit e tij më të dashur.
Në përmbyllje të postimit, ai ka falënderuar këdo që është interesuar për gjendjen e tyre dhe ka përcjellë një mesazh prekës mbi vlerën e jetës dhe rëndësinë e afërsisë me njëri-tjetrin. Seferi ka shkruar se pranë tyre kishin pasur një engjëll mbrojtës, duke uruar që edhe gjatë ditëve të zakonshme të mos harrojnë ta falënderojnë Zotin që kanë njëri-tjetrin.








