Saturday / November 7 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Rajoni Western Balkans Monitor

50 kompanitë më të mëdha në Maqedoninë e Veriut; “Not” në ujëra të trazuara ekonomike

Share Share Icon

Maqedonia e Veriut në 35 vite pavarësi: ekonomia lufton për rritje mbi 3%, të ardhurat e 50 kompanive më të mëdha arrijnë sa 66.6% e PBB-së!

 

Aneta Dodevska*

35 vjet pas shpalljes së pavarësisë dhe sovranitetit shtetëror, Maqedonia e Veriut, përveç sfidave në planin politik, vijon të “notojë” në ujëra të trazuara ekonomike.

Pas shkëputjes nga ish-Jugosllavia, goditja e parë erdhi nga privatizimi dhe tranzicioni, një proces që zgjati si maratonë për më shumë se një dekadë.

Më pas erdhi kriza ekonomike globale e vitit 2008, kriza shëndetësore e COVID-19 në vitin 2020 dhe, gjatë pesë viteve të fundit, ekonomia vendase është përballur me presione mbi çmimet, të shkaktuara edhe nga konfliktet ushtarake në Lindje.

Pasojat ekonomike të të gjitha këtyre krizave pasqyrohen edhe në treguesit zyrtarë të statistikave shtetërore. Në dekadën e fundit, norma e rritjes së PBB-së e kaloi nivelin 4% vetëm një herë, në vitin 2021, por ky rezultat erdhi pas rënies ekonomike të vitit 2020, kur PBB-ja u tkurr me 4.7%.

 

Burimi: SSO

 

Përllogaritjet e “Monitor”, bazuar në të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave, tregojnë se gjatë dhjetë viteve të fundit, norma mesatare e rritjes së PBB-së në vend ishte vetëm 2.6%. Sipas disa prej ekonomistëve të konsultuar nga “Monitor”, përveç krizave të jashtme, arsyet e ritmeve të ulëta, thuajse “zvarritëse”, të rritjes ekonomike duhen kërkuar edhe brenda vendit, te politikat ekonomike.

“Maqedonia e Veriut, nga pavarësia e deri më sot, ka shfaqur një ritëm ciklik të rritjes ekonomike për dy arsye: së pari, reformat strukturore të pasuksesshme dhe, së dyti, niveli i ulët i investimeve në zhvillimin ekonomik, veçanërisht në zbatimin e njohurive dhe teknologjive të reja.

Ka pasur edhe vite kur jemi përballur me proces dezinvestimi. Struktura ekonomike është aq e pafavorshme sa, në vetvete, nuk lejon optimizëm për një rritje ekonomike të qëndrueshme”, thotë për “Monitor” profesori Samo R. Bislimi, duke shtuar:

“Edhe sikur të kishim një strukturë ekonomike më të favorshme, kjo nuk do të mjaftonte për të siguruar një rritje të qëndrueshme ekonomike, sepse hendeku po thellohet gjithnjë e më shumë.

Po zgjerohet e ashtuquajtura distancë kohore në zbatimin e njohurive dhe teknologjive të reja dhe kjo krijon efekte negative mbi produktivitetin e punës, nivel të ulët të konkurrueshmërisë në çmime dhe pamundësi për të vepruar sipas parimit të ekonomive të shkallës”.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, sektori “Tregti, transport dhe akomodim”, ka peshën më të madhe në krijimin e PBB-së, me 17.98%, ndërsa në vend të dytë, me 17.54%, renditet sektori “miniera, energji, ujë dhe mbetje”.

 

Burimi: Eurostat

 

Përllogaritjet e “Monitor” tregojnë se më shumë se një e treta, ose 35.52% e PBB-së, mbështetet vetëm në këta dy sektorë, ndërsa të gjithë sektorët e tjerë kanë peshë më të ulët se 15%.

Në vendin e tretë, me një peshë prej 14.33%, renditet industria përpunuese, e ndjekur nga “administrata publike, mbrojtja dhe aktivitetet sociale”, me 13.03% të PBB-së, ndërsa aktivitetet e pasurive të paluajtshme kanë peshë prej 10.69%.

Sektorët e tjerë kishin secili një peshë më të ulët se 7%, mes tyre ndërtimi, bujqësia dhe informacioni e komunikacionet.

“Pesha e sektorit real në krijimin e PBB-së është nën 40%, shërbimet rreth 30%, ndërsa të ashtuquajturit sektorë të kostos, mbi 30%. Me një strukturë të tillë prodhimi, nuk kemi çfarë t’i ofrojmë as tregut vendas dhe as atij të huaj”, vlerëson profesori Bislimi.

Rritja e PBB-së në Maqedoninë e Veriut është një nga temat më aktuale në vend, si në debatin publik, ashtu edhe në qarqet e biznesit dhe politikës. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka deklaruar disa herë se vendi është ndër ekonomitë europiane me ritmet më të larta të rritjes.

“Maqedonia e Veriut është mes pesë vendeve të para në Europë për rritjen e PBB-së; menjëherë pas Maltës, Polonisë dhe Serbisë vjen Maqedonia e Veriut. Nga tremujori i tretë i vitit 2024 deri në tremujorin e parë të vitit 2026, përfundimi është se ekonomia maqedonase po rritet me 3% në terma realë, ndërsa partneri ynë më i madh, Bashkimi Europian, ka rritje prej 1.4% dhe Eurozona prej 1.25%.

Ky është rezultat i jashtëzakonshëm, Maqedonia e Veriut po përshpejton dhe shteti duhet të ecë përpara”, deklaroi kryeministri Mickoski.

Blloku opozitar e kritikon përditë qeverinë, duke thënë se ajo po luan me “matematikë optimiste”, ndërsa realiteti për qytetarët mbetet i vështirë.

“Për Mickoskin, vetëm qielli është kufiri. Kjo po bëhet aq qesharake sa, sikur të mos bëhej fjalë për standardin e jetesës së qytetarëve, do të mund vetëm të qeshnim. Prej muajsh flasin për ‘ekonominë e tretë në Europë’ dhe ‘të parët në turizëm’”, reagojnë nga partia opozitare SDSM.

Në fund të vitit 2025, në vlerë absolute, PBB-ja e vendit arriti në 16.53 miliardë euro, ose rreth 9,000–9,100 euro për frymë.

 

Burimi: Eurostat

 

10 kompanitë më të mëdha gjenerojnë të ardhura sa 31% e PBB-së

50 kompanitë më të mëdha të vendit, sipas të ardhurave dhe fitimit, janë të përqendruara kryesisht në industrinë automotive dhe farmaceutike, energji, tregtinë e naftës dhe tregti. Krahas kompanive private me kapital vendas dhe të huaj, në listë përfshihen edhe ndërmarrje shtetërore.

Sipas të dhënave përfundimtare për vitin 2025 nga ekonomistët e bazës së të dhënave “Business Network”, 50 kompanitë kryesore të vendit realizuan vitin e kaluar të ardhura totale prej pak më shumë se 11 miliardë eurosh, ndërsa fitimi i tyre arriti në rreth 610 milionë euro.

Bankat dhe kompanitë e sigurimit nuk janë përfshirë në këtë renditje.

 

 

10 kompanitë më të mëdha në Maqedoninë e Veriut

  1. “Johnson Matthey”

Në vendin e parë, sipas të ardhurave, renditet kompania e huaj e industrisë automotive “Johnson Matthey”, me 1.82 miliardë euro të ardhura. Kompania ka 835 punonjës dhe aktiviteti kryesor i saj është prodhimi i katalizatorëve për automjete dhe sistemeve të kontrollit të emetimeve.

Ajo ndodhet në një nga zonat TIDZ pranë kryeqytetit, Shkup. Vitin e kaluar, kompania u rendit e dyta edhe sipas fitimit, i cili arriti në 73 milionë euro.

  1. “OKTA”

Në vendin e dytë, me të ardhura prej 627 milionë eurosh, renditet kompania greke e sektorit të naftës, rafineria “OKTA”, aktiviteti kryesor i së cilës është “tregtia me shumicë e lëndëve djegëse të ngurta, të lëngshme dhe të gazta”.

Kjo kompani ishte në pronësi shtetërore 26 vite më parë dhe gjatë procesit të privatizimit iu shit kompanisë greke “Hellenic Petroleum”.

Megjithëse gjeneron të ardhura të larta vjetore, “OKTA” renditet vetëm në vendin e 28-të sipas fitimit, me 9.3 milionë euro. Kompania ka 244 punonjës.

  1. AD “Makpetrol”

Me të ardhura prej 508,049,773 eurosh në vitin 2025, sipas renditjes së “Business Network”, në vendin e tretë është një tjetër kompani e sektorit të naftës, “AD “Makpetrol”, me aktivitet “tregtia me pakicë e karburanteve dhe lubrifikantëve për automjete”.

Me fitim prej 19,328,788 eurosh, kompania nuk u rendit mes 10 kompanive më fitimprurëse në vitin 2025. Ajo ka 2,051 punonjës.

  1. “EVN HOME”

Në vendin e katërt, me të ardhura prej 427 milionë eurosh, është “EVN HOME”, kompani e sektorit energjetik që ka pozicion dominues në këtë treg dhe statusin e “furnizuesit universal” të familjeve me energji elektrike.

Me një fitim prej vetëm rreth 200 mijë eurosh, kompania nuk renditet mes më fitimprurëseve të vitit 2025.

  1. “ESM – Termocentralet për Prodhimin e Energjisë Elektrike”

Në vendin e pestë, me të ardhura 359 milionë euro, renditet një tjetër kompani e sektorit energjetik, ndërmarrja shtetërore “ESM – Termocentralet për Prodhimin e Energjisë Elektrike”.

Kompania ka 4,362 punonjës dhe në fund të tremujorit të katërt të vitit 2025 raportoi një humbje prej 16.7 milionë eurosh.

  1. “KAM DOO Ilinden”

Në vendin e gjashtë, me të ardhura prej 333,951,648 eurosh, është kompania private “KAM DOO Ilinden”, që operon në sektorin e tregtisë, me aktivitet “tregti me pakicë jo e specializuar, kryesisht me ushqime, pije dhe produkte duhani”.

Kompania ka 1,479 punonjës dhe është një nga operatorët më të mëdhenj të zinxhirëve të marketeve në vend. Në vitin 2025, fitimi i saj arriti në rreth 10 milionë euro.

  1. “Kromberg & Schubert – Macedonia”

Vendi i shtatë i takon kompanisë së huaj “Kromberg & Schubert – Macedonia”, me të ardhura 322 milionë euro.

Kompania prodhon pajisje elektrike dhe elektronike për automjete dhe është një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend, me 6,494 punonjës. Fitimi i realizuar në vitin 2025 arriti në 4.8 milionë euro.

  1. “Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore”

Në vendin e tetë, me të ardhura 264 milionë euro, renditet “Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore”.

Ndërmarrja shtetërore kishte 479 punonjës në vitin 2025 dhe aktiviteti i saj kryesor është “ndërtimi i rrugëve dhe autostradave”.

Vitin e kaluar, kompania raportoi një fitim prej 147 milionë eurosh. Këto shifra në bilancin operativ lidhen me huatë e marra për ndërtimin e segmenteve kryesore të autostradave në vend.

  1. “Kiper Market DOO”

Në vendin e nëntë është një tjetër kompani e sektorit të tregtisë, “Kiper Market DOO”, me të ardhura 257 milionë euro.

Kompania ka 1,288 punonjës dhe vitin e kaluar realizoi fitim prej 6.45 milionë eurosh.

  1. “VDL Bus – Macedonia”

Në vendin e dhjetë ndër kompanitë me të ardhurat më të larta renditet kompania e huaj “VDL Bus – Macedonia”, e vendosur në një nga zonat e lira ekonomike.

Vitin e kaluar, të ardhurat e saj arritën në 252 milionë euro. Aktiviteti kryesor është “prodhimi i automjeteve”, ndërsa fitimi i realizuar në vitin 2025 ishte rreth 19 milionë euro.

Përllogaritjet e “Monitor”, bazuar në të dhënat e disponueshme nga “Business Network”, tregojnë se vetëm 10 kompanitë më të mëdha realizuan vitin e kaluar të ardhura totale prej 5.2 miliardë eurosh, ose 31.3% të PBB-së së vendit në vitin 2025.

Ndërkohë, të ardhurat vjetore të 50 kompanive më të mëdha arritën në rreth 11 miliardë euro, ekuivalente me 66.6% të vlerës së PBB-së vjetore.

 

Kliko këtu për t’u regjistruar falas për të lexuar specialen e plotë për renditjen e kompanive më të mëdha në Ballkan për vitin 2025:

Monitor Special Edition | Ranking the Largest Companies in the Western Balkans in 2025

 

 

Të ardhurat e larta nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht fitime të larta

Disa nga kompanitë që renditen lart sipas të ardhurave nuk gjenden fare në listën e më fitimprurëseve. Ndërsa nga njëra anë gjenerojnë qindra milionë euro të ardhura, nga ana tjetër realizojnë fitime minimale, madje edhe humbje, siç është rasti i ndërmarrjes shtetërore “ESM – Termocentralet për Prodhimin e Energjisë Elektrike”.

Grupi i 50 kompanive më të mëdha sipas fitimit realizoi në vitin 2025 një fitim total prej 841 milionë eurosh, ndërsa të ardhurat e tyre arritën në 7.5 miliardë euro.

 

 

Megjithatë, disa nga kompanitë me të ardhurat më të larta janë njëkohësisht edhe ndër më fitimprurëset.

Në vendin e parë, me fitim 147 milionë euro, renditet ndërmarrja shtetërore “Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore”. Në vendin e dytë është kompania e huaj “Johnson Matthey”, me 73 milionë euro fitim, e cila renditet e para edhe sipas nivelit të të ardhurave.

Në vendin e tretë renditet kompania e sektorit të telekomunikacionit “Macedonian Telecom”, me fitim prej 40.5 milionë eurosh. Në vendin e katërt, me 32.2 milionë euro fitim, është kompania farmaceutike “Alkaloid”, ndërsa në vendin e pestë, me 29.2 milionë euro, renditet kompania e prodhimit të çimentos “Titan – Usje”.

Në vendin e gjashtë, me fitim 26.9 milionë euro, renditet “Pivara – Skopje”, kompani që operon në tregtinë e pijeve alkoolike dhe joalkoolike, me pronarë kompanitë “Coca-Cola HBC AG” dhe “HEINEKEN N.V.”.

Në vendin e shtatë, me fitim 25.9 milionë euro, është kompania me kapital vendas “IGM-TRADE Ilija I dr. DOO” nga Kavadarci, e cila prodhon tuba dhe profile çeliku.

Në vendin e tetë renditet shoqëria aksionare për menaxhim biznesi dhe shërbime konsulence “Kamen-most – Communications AD Skopje”, me fitim 21.5 milionë euro.

Pas saj vjen ndërmarrja shtetërore ESM – shpërndarja e energjisë elektrike, me fitim 21 milionë euro, ndërsa në vendin e dhjetë, po me rreth 21 milionë euro fitim, është “A1 Macedonia DOOEL Skopje”, kompani e sektorit të telekomunikacionit, me aktivitet në telekomunikacionin me kabllo, pa kabllo dhe satelitor.

Të dhënat e përmbledhura tregojnë se fitimi total vjetor i 10 kompanive më të mëdha në vitin 2025 arriti në 438.1 milionë euro, ose 2.6% të PBB-së totale, ndërsa fitimi i 50 kompanive më të mëdha arriti në 841 milionë euro, ose rreth 5% të PBB-së.

 

*Aneta Dodevska është gazetare dhe redaktore e lajmeve në TV 24 në Maqedoninë e Veriut.

 

 

 

 

LEXONI EDHE:

Ekskluzive, VIP-at e Ballkanit Perëndimor; renditja e kompanive më të mëdha në rajon

 

Ekonomia shqiptare pa prodhim, e varur nga ndërtimi; Kontrasti me Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë

 

100 VIP sipas të ardhurave dhe fitimeve në Serbi; rritje e ngadaltë mes pasigurive politike

 

Renditja e 100 të mëdhenjve; Rritja e Malit të Zi fsheh dobësitë strukturore të ekonomisë

 

Të mëdhenjtë e Bosnjë-Hercegovinës: Rritje e moderuar ekonomike dhe sfida strukturore

 

10 më të mëdhenjtë e Kosovës; Ekonomia, mes krizave institucionale dhe nevojës për rritje

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

100 VIP-at sipas të ardhurave dhe fitimeve në Serbi; rritje e ngadaltë mes pasigurive politike

Ekonomia serbe u përball gjatë vitit 2025 me presione të forta të brendshme dhe të jashtme, duke regjistruar ritmin më të ulët të rritjes që nga pa...

10 minutes më parë 15 Min Lexim

Renditja e 100 të mëdhenjve; Rritja e Malit të Zi fsheh dobësitë strukturore të ekonomisë

Ekonomia e Malit të Zi është rritur ndjeshëm që nga pavarësia, por mbetet e varur nga konsumi, turizmi, tregtia, ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshm...

12 minutes më parë 17 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!