Këngëtarja Jonida Maliqi ishte e ftuar së fundmi në emisionin “Goca dhe Gra”, ku ka ndarë disa momente më të vështira dhe emocionuese të jetës së saj. Ajo ka folur për të birin, Danin, i cili është diagnostikuar me çrregullim të spektrit të autizmit.
Maliqi ka folur për vështirësitë që është përballur, ku tregon se në vitin 2015 ajo dhe ish-bashkëshorti i janë drejtuar një psikologeje, e cila u ka thënë se nuk ishin prindër të denjë për të birin, pasi e kishin lënë në atë gjendje.
Të lidhura
None found
Gjatë intervistës, këngëtarja preku edhe jetën private, duke folur për ndarjen nga ish-bashëshorti dhe çështjet që kanë përfunduar në dyert e drejtësisë. Ajo bëri të qartë se djali mbetet përparësia e saj, ndërsa u shpreh se shpreson që në të ardhmen të gjendet një gjuhë e përbashkët për një zgjidhje.
“Nuk e kam imagjinuar asnjëherë që kisha një forcë kaq të madhe, nuk e dija se do të çaja malet për të. Ai më ka përsosur si qenie. Është adoleshent, kemi pasur rrugëtim të bukur me ulje dhe ngritje. Më kishin thënë se adoleshenca do të ishte e vështirë, falë Zotit ai ka pasur shumë progres, merr dashurinë e prindërve dhe gjyshërve dhe të gjithë jemi aty për të. Ja ku jam sot, flas hapur.
E kam pranuar që në momentin e parë që Dani ishte ndryshe nga fëmijët e tjerë, por ka qenë e vështirë ta thosha hapur. Në fund të 2015-ës shkuam në një piskolog dhe pas një gjysmë orë na tha se nuk ishim prindër të denjë dhe si e kishim lënë djalin në këtë gjendje. Na tha se ai nuk do të flasë kurrë dhe nuk do të socializohet.
Ai moment ishte goditje e madhe dhe më pas shkuam te një tjetër qendër, ajo e Liri Berishës dhe me ndihmën e një ekipi prej 5 mjekësh Dani sot flet dy gjuhë, shkon në shkollë. Për atë psikologe, Anjeza Dishnica, do të doja t’i thosha dy fjalë: ‘Turp të kesh, sepse një prindi, sido që të jetë fëmija e vet, nuk i komunikohet në këtë mënyrë. Ishte mënyra më bastarde e mundshme, e bërë për më tepër nga një mjek’.
Doja të ruaja diskrecionin, të ishte një çështje sa më private mes meje, Danit dhe babait të tij. Ishte vendimi i këtij të fundit për të shkuar në gjyq për ndarjen. Fillimisht ishte me marrëveshje, por para dy vitesh u bë publike dhe shkova në gjykatë për gjëra të ndryshme. E zbuloi media dhe unë kundrejt publikut kam detyrim moral. Tani nuk ja vlen më, unë ja kam lënë drejtësisë me gjithë orvatjet për një periudhë të gjatë.
Ka platforma dhe nëse një ditë do të shoh se djalit tim i mohohet e drejta, do të dal të flas. Djali im është epiqendra dhe nuk ka munguar asnjëherë komunikimi sa i përket djalit. Jam munduar gjithnjë të gjej gjuhën e komunikimit dhe nuk e kisha marrë me mend kurrë që të flisja sot për këtë. Shpresoj që një ditë të gjejmë gjuhën e duhur dhe t’i hapim rrugë një zgjidhjeje”, shprehet Maliqi.






