SHBA ofron 20 milionë dollarë shpërblim për këdo që jep jep informacione lidhur me programin bërthamor të Iranit
SHBA ka njoftuar një shpërblim deri në 20 milionë dollarë për këdo që jep informacione lidhur me programin bërthamor të Iranit.
Programi i Departamentit Amerikan të Shtetit, “Rewards for Justice” (Shpërblime për Drejtësi), ofron gjithashtu mundësinë e zhvendosjes në një vend tjetër të personit që siguron informacione të tilla.
Presidenti Donald Trump pretendoi vitin e kaluar se objektet bërthamore të Iranit ishin “shkatërruar plotësisht dhe tërësisht” pas një fushate bombardimesh nga SHBA-të dhe Izraeli.
Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor është paqësor dhe se nuk ka asnjë synim për të zhvilluar armë bërthamore.
Ndërkohë, ushtria amerikane thotë se po krijon një task-forcë për të forcuar përpjekjet e Uashingtonit për të kufizuar lëvizjen e armëve dhe materialeve të sanksionuara nga Irani përtej kufijve të tij.
Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane (Centcom) bëri të ditur se Task-Forca “Iron Gate” do të operojë nga Tampa, Florida, dhe do të bashkëpunojë me agjenci të tjera të qeverisë amerikane.
Përveç lëvizjes së armëve, ajo do të përqendrohet edhe te materialet me përdorim të dyfishtë dhe burimet e paligjshme të të ardhurave.
Centcom vlerëson se bllokada detare amerikane ndaj porteve të Iranit e ka penguar këtë vend të eksportojë naftë bruto me vlerë mbi 25 miliardë dollarë.
Në një deklaratë të Departamentit Amerikan të Shtetit lidhur me shpërblimin prej miliona dollarësh, thuhej se paratë ofrohen për informacione rreth programit iranian, përfshirë “objektet, pajisjet dhe personelin përkatës”.
Sipas deklaratës, “mosrespektimi nga Irani i detyrimeve të mbikëqyrjes ndaj IAEA-së (Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike) ka bërë që agjencia të humbasë ‘vazhdimësinë e njohurive’ lidhur me prodhimin dhe inventarin e Iranit për komponentë kyç, si centrifugat [bërthamore]”.
Centrifugat nevojiten për prodhimin e uraniumit të pasuruar, i cili mund të përdoret për prodhimin e karburantit për reaktorët bërthamorë për qëllime civile, por edhe për armë bërthamore, nëse pasurohet në një nivel pastërtie prej rreth 90% ose më shumë.
Spekulimet se SHBA-të mund të rifillonte sulme të rëndësishme në Iran pas zgjedhjeve të mesit të mandatit ishin shtuar, megjithëse Trump u tha gazetarëve, përpara zgjedhjeve, se nuk kishte “asnjë nxitim” për ta bërë këtë.
Në një intervistë për Fox News, në prag të zgjedhjeve të mesit të mandatit, presidenti tha gjithashtu se SHBA-të “mund të kenë nevojë të godasin Pickaxe [Mountain]”, një objekt nëntokësor i lidhur me programin bërthamor të Iranit.
Kjo “nuk është ndonjë çështje e madhe” dhe mund të realizohet brenda “një ore”, tha Trump.
Presidenti ka kërcënuar vazhdimisht edhe më parë se do të bombardojë këtë objekt të dyshuar nëntokësor.
Megjithatë, si Trump, ashtu edhe zëvendëspresidenti JD Vance kanë deklaruar se kundërshtimi publik ndaj luftës kundër Iranit ka ndikuar në humbjet e mëdha të Partisë së tyre Republikane në zgjedhjet e mesit të mandatit të kësaj jave. Kjo ka nxitur spekulimet se Shtëpia e Bardhë mund të mos kërkojë më përshkallëzimin e konfliktit.
Të premten, Trump këmbënguli se Irani ishte i interesuar t’i jepte fund konfliktit tetëmujor me SHBA-të, duke theksuar dëmet që i janë shkaktuar ekonomisë dhe ushtrisë së Teheranit.
“Ne po merremi me ta tani. Ata duan shumë të arrijnë një marrëveshje”, tha ai.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit deklaroi të martën se të dyja palët po “shqyrtojnë idetë dhe propozimet që kemi paraqitur” dhe se Katari mbetet optimist për arritjen e një marrëveshjeje.
Negociatorët iranianë kishin diskutuar me ndërmjetësit një propozim për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit brenda dy ditësh, pasi SHBA-të të përmbushnin shtatë kushtet e saj.
SHBA-të dhe Irani arritën një marrëveshje paraprake në qershor për t’i dhënë fund luftës dhe për të rihapur ngushticën, por marrëveshja dështoi brenda pak javësh, pasi sulmet iraniane ndaj anijeve rifilluan dhe SHBA-të rivendosën bllokadën.




