Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Publikimet shkencore të studiuesve kosovarë në “Scopus”, si kontribut i Serbisë

Scopus

Platforma ndërkombëtare “Scopus”, që indekson punimet shkencore dhe mundëson vlerësimin e autorëve, revistave dhe ndikimit të kërkimeve akademike, në shumë raste i regjistron studiuesit kosovarë si të Serbisë. Në Ministrinë e Arsimit thanë se po bëhen përpjekje diplomatike që kjo të ndërrojë. Por, njohësit thonë se problemi lidhet me sistemin e kodeve shtetërore që mirëmbahen nga OKB-ja, pjesë e së cilës nuk është Kosova.

Puna shkencore e hulumtuesve kosovarë, në disa raste po i atribuohet Serbisë në databazën ndërkombëtare “Scopus”, për shkak të mënyrës se si kjo platformë i regjistron të dhënat.

Në këtë databazë, të cilën Universiteti i Prishtinës e përdor për evidentimin e publikimeve shkencore të profesorëve, krahas emrit të universitetit shfaqet edhe Serbia si shtet me të cilin është i lidhur institucioni.

Kompania “Elsevier”, që e menaxhon “Scopusin”, në një përgjigje për KOHËN ka thënë se kjo ndodh për shkak të standardit “ISO 3166” dhe se sipas saj, nuk ka të bëjë me ndonjë gabim.

“Kur ‘Scopus’ krijon profile të organizatave dhe autorëve, emrat e shteteve ndjekin standardin ISO 3166. Kosova nuk ka një kod në këtë standard; përkundrazi, standardi e vendos atë brenda një nënndarjeje të Serbisë. Si rrjedhim, profilet e institucioneve me seli në Kosovë e shfaqin Serbinë si shtet. Kjo është një çështje politike e brendshme e sistemit dhe jo një gabim në të dhëna. Ky nuk është një qëndrim lidhur me statusin politik të Kosovës; ne jemi takuar me përfaqësues të Qeverisë së Kosovës për të ndihmuar në sqarimin e këtij pozicioni”, thuhet në përgjigjen e “Elsevier”.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës kanë thënë se nga viti 2022 kanë ndërmarrë hapa institucionalë dhe diplomatikë për korrigjimin e këtyre të dhënave.

Edhe Kos: BE-ja po dialogon me Qeverinë për ndryshimet në Ligjin për Specialen Arbëri Kos: BE-ja po dialogon me Qeverinë për ndryshimet në Ligjin për Specialen

Sipas MASH-it, ndërhyrjet kanë sjellë përmirësime vetëm përkohësisht, porse përpjekjet do të vazhdojnë. 

“MASH vlerëson se paraqitja e saktë institucionale e hulumtuesve tanë është e një rëndësie të veçantë për dukshmërinë shkencore dhe dinjitetin shtetëror. Ministria, në bashkëpunim me UP-në dhe kanalet diplomatike, do të vazhdojë presionin institucional dhe hapat e nevojshëm deri në zgjidhjen përfundimtare dhe të qëndrueshme të kësaj çështjeje”, thuhet në përgjigjen e MASH-it. 

Ish-zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Dukagjin Pupovci, thotë se kjo lidhet me sistemin e kodeve shtetërore që mirëmbahen nga OKB-ja, pjesë e të cilës nuk është Kosova.

“Komunikimet nuk kanë dhënë rezultat, sepse ata patën insistu që ne i përmbahemi sistemit ISO 3166, është i akronimeve dhe aty Kosova.. meqë atë sistem e mirëmbajnë Kombet e Bashkuara ende regjistrohet si Serbi, prandaj këtu është problemi që ajo kompani nuk dëshiron të heqë dorë nga ai sistem, të cilin e përdorin, ndërsa ne nuk jemi në gjendje të bëhemi pjesë e sistemin ISO në mënyrë që kodi ynë të jetë aty”, ka thënë Pupovci.

Sipas tij, kjo mënyrë e klasifikimit të të dhënave ndikon edhe në pasqyrimin e rezultateve shkencore të studiuesve nga Kosova.

“Është keq sepse atëherë kontributet tona shkencore sado modeste që janë i atribuohen ose Serbisë ose në rastet kur deklarohen në veçanti, sepse shumë prej hulumtuesve tanë deklarohen si Shqipëri, i atribuohen Shqipërisë dhe nuk mund të fitohet një pasqyrë e qartë krahasuese se sa është kontributi i Kosovës, nuk besoj që është shumë i madh, mirëpo aq sa është edhe nuk mund të njihet ndërkombëtarisht”, u shpreh ai.

Në shtator të vitit 2022, platforma ndërkombëtare “Scopus” e pati njohur Kosovën, duke e vendosur emrin e saj në publikimet shkencore të hulumtuesve kosovarë.

Edhe Kos: Bllokada institucionale ka ndikuar në zbatimin e reformave evropiane në Kosovë Arbëri Kos: Bllokada institucionale ka ndikuar në zbatimin e reformave evropiane në Kosovë

Por, në korrik të vitit 2023, emri i Serbisë ishte kthyer në publikimet e studiuesve kosovarë.

“Scopus” është bazë ndërkombëtare e të dhënave bibliografike dhe citimeve shkencore, e cila përdoret për të indeksuar, kërkuar dhe analizuar publikimet akademike.