Donald Trump dëshiron ta shndërrojë konfliktin politik në një përplasje personale me këdo që ushtron pushtet kontrollues ndaj tij. Por jo vetëm me fjalë. Ai ka vendosur të sjellë në skenë atmosferën e ringut, duke zgjedhur të mbrohet nga boksierë, kampionë të xhudos dhe të arteve marciale të përziera. Pas emërimit të Stephen Millerit, një figurë të vijës së ashpër, në krye të stafit të tij, i cili në të kaluarën kishte kërcënuar me shtypjen e së majtës radikale, presidenti i Shteteve të Bashkuara njoftoi në rrjetin social Truth, pa u kuptuar nëse bëhej fjalë për një propozim serioz apo për një provokim, se i kishte kërkuar Dana White, presidentit dhe drejtorit ekzekutiv të UFC-së (Ultimate Fighting Championship), organizatës më të madhe të arteve marciale të përziera, që të bëhej zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.

“I kërkova të sillte me vete disa bashkëpunëtorë, disa prej të cilëve nuk janë nga vendi ynë, përfshirë Islam Makhachev, Khabib Nurmagomedov, Justin Gaethje, Daniel Cormier, Amanda Nunes dhe Kayla Harris”. Bëhet fjalë për dy kampionë rusë, dy amerikanë, një braziliane me nofkën “Luanesha” dhe një xhudiste amerikane, e cila në të vërtetë quhet Harrison dhe jo Harris, siç e ka shkruar presidenti.

Makhachev është shembulli tipik i një Trump-i që tashmë nuk njeh më kufij: rus me origjinë nga Dagestani, ai është një luftëtar i besimit mysliman sunit. Në praktikë, pasi ka sulmuar për shkak të besimit të tij mysliman senatorin e zgjedhur demokrat të Miçiganit, Abdul El-Sayed, si dhe demokratën Ilhan Omar, duke e akuzuar këtë të fundit se nuk është amerikane, Trump tani dëshiron të sjellë në Shtëpinë e Bardhë një mysliman, i cili madje nuk është as amerikan.

“Kemi nevojë për këta njerëz që të na mbrojnë nga e majta e çmendur. Dana, të lutem, pranoje detyrën”. Sipas CNN, White nuk e kishte pranuar ofertën. Më pas, nga Londra, drejtori ekzekutiv i UFC-së deklaroi se do ta diskutonte këtë çështje me Trumpin gjatë një takimi të planifikuar për të hënën në Shtëpinë e Bardhë.

Lëvizja e Trumpit, i cili nuk ka shpjeguar se si synon t'i përdorë luftëtarët, lë të kuptohet se, nga ky moment deri në marrjen e detyrës nga Kongresi i ri, me shumicë demokratike, e parashikuar për 3 janar, përplasja do të bëhet edhe më e ashpër. Premtimet për bashkëpunim me opozitën, të bëra gjatë natës së zgjedhjeve, u zhdukën shumë shpejt, ashtu siç ishte e parashikueshme.

Pak para se të njoftonte ofertën drejtuar White, presidenti kishte deklaruar në Truth se kishte urdhëruar Departamentin e Drejtësisë të niste “menjëherë” HETIMET ndaj opozitës.

“Demokratët po kërcënojnë vazhdimisht shumë persona, përfshirë edhe Prokurorin e Përgjithshëm, duke folur për shkarkimin tim përmes formave të ndryshme të ndëshkimit, ndërkohë që pranojnë se nuk kanë asnjë motiv për ta bërë këtë”, shkroi ai.

“Kjo”, shtoi ai, “është zhvatje në nivelet më të larta dhe përgjegjësit duhet të mbajnë pasojat”. Presidenti la të kuptohej edhe mundësia e dërgimit në burg të kundërshtarëve të tij politikë. “Republikanët duhet të zgjohen, dhe shpejt”, përfundoi ai.

Në këtë pikë, demokratët duhet të zgjedhin nëse do të mbrojnë institucionet dhe do të përballen drejtpërdrejt me Trumpin. Anëtarë të Kongresit kanë premtuar hetime për korrupsionin e Trumpit, të djemve të tij Donald Jr. dhe Eric, të dhëndrit Jared Kushner, të anëtarëve të administratës dhe të donatorëve, mes të cilëve edhe Elon Musk.

Por këtu hyn në lojë edhe e ardhmja e strukturës drejtuese të demokratëve: liderët aktualë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit, Hakeem Jeffries dhe Chuck Schumer, janë kritikuar nga baza elektorale, e cila i akuzon se kanë qenë tepër të dobët.

El-Sayed ka premtuar se do të mbështesë një kandidaturë të mundshme për Senatin të progresistit Chris Van Hollen, nga Merilendi. Peggy Flanagan, e cila fitoi në Minesota, e falënderoi Schumer, por shtoi “se ka ardhur momenti për një lidership të ri”.

Juliana Stratton (Illinois), Adam Hamilton (Kansas) dhe Troy Jackson (Maine) nuk do të votojnë për Schumer. James Talarico, i zgjedhur në Teksas, dhe Chris Pappas, në New Hampshire, janë të gatshëm të mbështesin një ndryshim në drejtimin e partisë.

Sipas një sondazhi të NBC, vetëm 13 për qind e votuesve demokratë e miratojnë Schumer. Ndërsa Jeffries mbështetet vetëm nga 18 për qind e tyre. Një peticion kundër liderit të Dhomës së Përfaqësuesve, i mbështetur nga aktori Mark Ruffalo, ka mbledhur më shumë se 900 mijë firma.

Mesazhi duket i qartë sot, pas zhvillimeve të fundit: nëse Trump thërret luftëtarët, demokratët duan liderë të gatshëm të ngjiten në ring./La Repubblica