Megjithëse data e zgjedhjeve është përcaktuar, ndryshimet përkatëse në Kodin Zgjedhor ende mungojnë. Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, ka kërkuar ndërhyrje urgjente nga Kuvendi dhe partitë politike për përshtatjen e rregullave të zgjedhjes dhe shpërndarjes së mandateve në bashkitë e reja. Sipas DW, edhe ekspertja zgjedhore Gerta Meta paralajmëron se paqartësitë ligjore mund të krijojnë probleme me përfaqësimin e komuniteteve dhe të hapin rrugën për kontestime të vendimeve dhe rezultateve zgjedhore.
Zgjedhjet e 9 majit 2027 pritet të jenë një provë e rëndësishme për standardet demokratike dhe integrimin europian të Shqipërisë. Komisioni Europian ka kërkuar reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore dhe zbatim të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias. Ndër çështjet kryesore mbeten depolitizimi i administratës zgjedhore, parandalimi i përdorimit të burimeve shtetërore në fushatë dhe transparenca e financimit politik, elemente që sipas ekspertëve janë thelbësore për garantimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe të besueshme.