Gjermania ka vendosur kufij për furnizimin e mëtejshëm të Ukrainës me sisteme amerikane të mbrojtjes ajrore Patriot, duke argumentuar se dërgimi i pajisjeve të tjera do të rrezikonte sigurinë e saj kombëtare.
Lajmin e bëri të ditur ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, në një intervistë për grupin mediatik “Funke”. Sipas tij, Berlini ka dorëzuar tashmë disa sisteme Patriot dhe një numër të konsiderueshëm raketash për mbrojtjen e Ukrainës, por aktualisht nuk ka mundësi të ofrojë më shumë.
Pistorius shpjegoi se pajisjet e dorëzuara nuk mund të zëvendësohen në një kohë të shkurtër dhe se reduktimi i mëtejshëm i kapaciteteve ushtarake gjermane do të krijonte boshllëqe në mbrojtjen e vendit.
“Çdo pajisje që do të dorëzonim tani nuk do të mund të zëvendësohej për një periudhë të caktuar kohore dhe kjo do të krijonte boshllëqe në mbrojtjen tonë, të cilat nuk mund t’i lejojmë”, deklaroi ministri.
Ai kritikoi gjithashtu kontributin e disa aleatëve, duke theksuar se vende të tjera kanë bërë shumë më pak se Gjermania në mbështetje të Kievit. Për këtë arsye, Pistorius kërkoi që çështja e furnizimeve ushtarake të diskutohet në mënyrë të detajuar në takimin e ardhshëm të Grupit të Kontaktit për Ukrainën, që pritet të zhvillohet në mesin e nëntorit.
Ministri gjerman u shpreh gjithashtu pesimist për mundësinë e arritjes së një armëpushimi në Ukrainë në të ardhmen e afërt.
Gjermania mbetet një nga mbështetëset kryesore të Kievit që prej nisjes së pushtimit rus, me rreth 43.3 miliardë euro ndihma humanitare dhe 57.6 miliardë euro mbështetje ushtarake, sipas shifrave të cituara në raportim.













