Terrori në rrugët e Krakovit, shkon në 9 numri i të vrarëve, 15 të plagosur, autori ekzekutoi prindërit dhe motrën para sulmit

Uncategorized | 2 minuta më parë

Një sulm i rëndë me armë zjarri ka tronditur qytetin e Krakovit këtë fundjavë, duke lënë pas një bilanc tragjik me të paktën nëntë të vdekur në total dhe 15 të plagosur. Autori i dyshuar, i cili paraprakisht dyshohet se ka vrarë tre anëtarë të familjes së tij, hapi zjarr ndaj qytetarëve në qendër të qytetit përpara se të neutralizohej pas një përplasjeje me forcat e policisë.

Ngjarja dramatike kulmoi me një ndjekje me makina në rrugët e qytetit. Sipas raportimeve nga vendngjarja, i dyshuari tentoi t’i shpëtonte policisë duke u përplasur me një automjet të bardhë në kryqëzimin e rrugës “Dietla”. Pas përplasjes, ai doli nga automjeti duke hapur zjarr ndaj oficerëve që e ndiqnin. Zëdhënësja e policisë lokale, Katarzyna Cisło, theksoi se autori “mbante veshur rroba ushtarake dhe po përdorte një armë të gjatë ushtarake, me shumë mundësi një pushkë gjysmëautomatike AR-15”.

Oficerët u kundërpërgjigjën menjëherë, duke e plagosur rëndë dhe arrestuar atë. Policia konfirmoi gjithashtu se në automjetin e tij u gjet “një sasi e konsiderueshme armësh zjarri dhe municionesh”. I dyshuari aktualisht po trajtohet në një spital në Krakov.

Tragjedia mori përmasa edhe më tronditëse kur forcat e rendit zbuluan tre trupa të pajetë në apartamentin e sulmuesit. Zëvendësinspektori Andrzej Fijolek konfirmoi për mediat se viktimat ishin babai 53-vjeçar, nëna 52-vjeçare dhe motra 20-vjeçare e autorit, të cilët kishin “plagë me armë zjarri dhe me shumë gjasa vdiqën prej tyre”.

Gjatë një konference për shtyp, Kryeministri polak Donald Tusk theksoi se shtëpia u evakuua për inspektime të mëtejshme, pasi ekzistonte dyshimi se “brenda mund të gjendeshin armë dhe/ose eksplozivë të tjerë”.

Sulmi në qendër të qytetit i mori jetën gjashtë personave dhe la të plagosur 15 të tjerë. Shefi i policisë polake, Marek Boron, detajoi bilancin e viktimave në rrugë duke specifikuar se bëhet fjalë për katër gra dhe dy burra. Mes tyre, ai identifikoi “tre gra polake, një shtetas britanik dhe dy persona që ende nuk janë identifikuar”.

Lidhur me profilin e autorit, Ministri polak i Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, doli me një sqarim kategorik për të shmangur spekulimet, duke theksuar se agresori “nuk i përket dhe nuk i ka përkitur kurrë forcave të armatosura polake”.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në të gjitha nivelet e politikës. Kryeministri Tusk u bëri një apel të përzemërt politikanëve që të mos e shfrytëzojnë këtë ngjarje për agjenda politike, duke premtuar se institucionet do të “hedhin dritë mbi të gjitha rrethanat e këtij krimi” dhe duke shprehur vlerësimin e tij më të lartë për “oficerët heroikë të policisë që rrezikuan jetën e tyre”.

Presidenti polak, Karol Nawrocki, theksoi se “siguria e polakëve është përparësia jonë absolute”, duke njoftuar dërgimin e kreut të Zyrës së Sigurisë Kombëtare në Krakov për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes. Në shenjë respekti dhe dhimbjeje, Kryetari i Bashkisë së Krakovit, Lukasz Gibala, ka shpallur ditë zie në qytet deri më 11 nëntor.

Mesazhe solidariteti kanë mbërritur edhe nga zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u shpreh se “Evropa i bashkohet Polonisë në zi dhe solidaritet”, duke falënderuar oficerët e guximshëm të policisë. Në të njëjtën linjë, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, nënvizoi se “humbja tragjike e jetës në të shtënat në Krakov është një tragjedi që do të ndihet shumë përtej Polonisë”, duke e siguruar Varshavën se në këtë kohë zie, “nuk është vetëm”.

Edhe ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë (MEPJ) ka reaguar menjëherë pas ngjarjes përmes një mesazhi në rrjetin social X, duke shprehur “tronditjen dhe keqardhjen për ngjarjen tragjike”.

Diplomacia shqiptare u përcolli ngushëllime familjarëve të viktimave dhe uroi shërim të shpejtë për të lënduarit, duke nënvizuar se “Shqipëria qëndron në solidaritet me popullin e Polonisë dhe me të gjithë ata që janë prekur nga ky akt i pakuptimtë dhune”.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme