Alarm për terapinë zvicerane prej 1.7 milion frangash: Raportohen tumore te fëmijët pas trajtimit

Kompania farmaceutike zvicerane Novartis ka raportuar nëntë raste të tumoreve te fëmijët që kanë marrë terapinë gjenetike Zolgensma, një trajtim që përdoret kundër sëmundjes së rrallë të atrofisë muskulare spinale (SMA).
Lajmi është raportuar nga mediumi zviceran Swissinfo, sipas të cilit rastet janë identifikuar te pacientët që kanë marrë këtë terapi që nga viti 2019.
Zolgensma konsiderohet ndër terapitë më të shtrenjta në botë, me një çmim prej rreth 1.7 milionë frangash zvicerane për një dozë.
Ky trajtim përdoret te fëmijët e diagnostikuar me atrofi muskulare spinale, një sëmundje gjenetike që prek qelizat nervore përgjegjëse për kontrollin e muskujve dhe mund të shkaktojë dobësi të rëndë muskulore.
Sipas raportimit, nga nëntë rastet e tumoreve të zbuluara, në dy prej tyre janë identifikuar prova gjenetike që sugjerojnë një lidhje të mundshme me terapinë, transmeton Telegrafi.
Megjithatë, kjo nuk nënkupton se është vërtetuar që trajtimi ka shkaktuar tumoret. Çështja është duke u shqyrtuar nga autoritetet përkatëse shëndetësore.
Që nga prezantimi i terapisë në vitin 2019, më shumë se 6.000 pacientë në mbarë botën kanë marrë Zolgensma.
Ndërkohë, autoritetet rregullatore po vlerësojnë të dhënat e reja për të përcaktuar nëse ekziston një rrezik i lidhur me përdorimin e këtij trajtimi dhe nëse nevojiten masa shtesë për sigurinë e pacientëve.
Zolgensma prodhohet nga kompania zvicerane Novartis dhe konsiderohet një nga përparimet e rëndësishme në trajtimin e sëmundjeve të rralla gjenetike./Telegrafi/






































