Itineraret malorë tërheqin turistët/Në Gjirokastër ture të organizuara me vendas e të huaj, synohet promovimi
Në Gjirokastër itineraret dhe guidat turistike në zonat malore po tërheqin vizitorët vendas dhe të huaj. Grupe të organizuara për turizmin malor dhe të aventurës përshkojnë me këmbë shtigjet malorë në zonat e Antigonesë, Lunxhërisë, Libohovës, Dropullit, etj. Pjesë e këtyre udhëtimeve janë edhe ngjitjet alpiniste në relievet e thepisura dhe faqet shkëmbore në Malin e Gjerë, Çajup, Malin e Nemërçkës, Murganës, etj.
“Kohët e fundit është rritur ndjeshëm kërkesa, si nga turistët vendas, ashtu edhe nga ata të huaj, për të bërë hiking në këto male dhe për të eksploruar vendet e bukura që kemi në jug të vendit”, tha alpinisti dhe organizitari i tureve malorë, Vasil Çekani.
Krahas të pasionuarve në zonën e Gjirokastrës pjesë e këtyre udhëtimeve janë edhe vizitorë nga qytete të tjera të vendit si edhe turistë të huaj. Pjesëmarrësit në turet malorë, kryesisht të rinj, shijojnë peizazhet natyrore, vlerat e trashëgimisë kulturore në zonat që përshkojmë ndërsa ecja me këmbë dhe sporti i alpinizmit i ndihmon për një trup të shëndetshëm, shprehet organizatori Vasil Çekani.
“Pas çdo ngjitjeje që bëjmë, kthehemi në bujtinat e zonës, ku shijojmë ushqimin dhe produktet vendase, si dhe njihemi me traditat e secilës zonë”, tha ai.
Nëpërmjet këtyre itinerareve synohet promovimi i vlerave te pasura natyrore, trashëgiminë kulturore dhe ekoturizmin në zonën e Gjirokastrës.
Gazetare: Enkeleda Domeri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




