Irani ekzekuton tre të arrestuar gjatë protestave të janarit, akuzoheshin për bashkëpunim me SHBA-në dhe Izraelin

08/11/2026 09:11

Autoritetet iraniane kanë ekzekutuar me varje tre burra, të cilët ishin arrestuar gjatë protestave masive antiqeveritare të zhvilluara në janar.

Lajmi u bë i ditur sot, më 8 nëntor, nga mediat shtetërore iraniane.

Hassan Deobad, Hamid Kazemi dhe Reza Zanganeh u ekzekutuan në qytetin e Karajit, pasi Gjykata Supreme e Iranit la në fuqi dënimet me vdekje të dhëna ndaj tyre. Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Tasnim, tre burrat u shpallën fajtorë për bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, si dhe për pjesëmarrje në trazira të armatosura gjatë datave 8 dhe 9 janar.
Sipas autoriteteve iraniane, të dënuarit kishin marrë pjesë në sulme ndaj objekteve publike dhe qeveritare, si dhe në akte zjarrvënieje dhe shkatërrimi të pronës publike.

Në aktakuzë pretendohej se ata kishin përdorur armë zjarri, granata dhe kokteje Molotov. Gjithashtu, dyshohej se ishin përfshirë në shkatërrimin e një nënstacioni elektrik në Karaj, incident që kishte shkaktuar ndërprerje të energjisë në disa zona.

Hassan Deobad ishte arrestuar më 11 janar, pasi autoritetet e dyshonin për sulme ndaj objekteve publike dhe nxitje të akteve të dhunshme. Pas arrestimit të tij, dhjetë persona të tjerë u ndaluan, të akuzuar për pjesëmarrje në trazirat që, sipas gjyqësorit iranian, drejtoheshin prej tij.

Gjykata Revolucionare e Karajit dënoi me vdekje tre të pandehurit kryesorë dhe urdhëroi konfiskimin e pasurive të tyre. Ndërkohë, personat e tjerë të përfshirë në çështje morën dënime me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.

Ekzekutimet u kryen pasi ankimimet e të dënuarve u rrëzuan dhe vendimet u konfirmuan përfundimisht nga Gjykata Supreme.

Varjet e fundit janë pjesë e një serie ekzekutimesh të kryera në Iran gjatë muajve të fundit ndaj personave të arrestuar gjatë protestave antiqeveritare të janarit.

Autoritetet iraniane kanë lidhur disa prej këtyre çështjeve me akuza për bashkëpunim me SHBA-në dhe Izraelin, duke pretenduar se të dënuarit kishin marrë pjesë në veprimtari të organizuara kundër sigurisë kombëtare.

Nga ana tjetër, organizatat për të drejtat e njeriut kanë shprehur vazhdimisht shqetësim për proceset gjyqësore ndaj personave të arrestuar gjatë protestave. Ato kanë ngritur pretendime për parregullsi procedurale dhe kanë paralajmëruar për rrezikun e ekzekutimit të personave të përfshirë në demonstratat kundër qeverisë.

Të premten, më 6 nëntor, organizata HRANA raportoi se Hamid Kazemi dhe Hassan Deobad ishin dënuar me vdekje nga Gjykata Revolucionare në Karaj. Dy ditë më vonë, autoritetet njoftuan ekzekutimin e tyre, së bashku me Reza Zanganeh.

Top Channel