E diel, 8 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Nga Zegjineja te Bashkia e Tiranës, Braçe me deklaratat e forta: Nuk tërhiqem!
Lajme

Nga Zegjineja te Bashkia e Tiranës, Braçe me deklaratat e forta: Nuk tërhiqem!

Deputeti socialist Erion Braçe ka folur për herë të parë me më shumë detaje rreth qëndrimit të tij për garën e ardhshme për Bashkinë e Tiranës, duke përsëritur kërkesën që kandidati i Partisë Socialiste të përcaktohet përmes një gare të brendshme.

I ftuar në emisionin “Goca dhe Gra”, Braçe u ndal te zhvillimet politike në vend, protestat dhe raporti i tij me Partinë Socialiste, ndërsa nuk munguan as pyetjet për mundësinë që ai vetë të jetë kandidat për drejtimin e kryeqytetit.

Deputeti theksoi se i qëndron kërkesës për një proces konkurrues brenda PS-së, duke lënë të kuptohet se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga kjo bindje.

“Unë kam kërkuar që të bëhet një garë brenda asaj partie time dhe kandidati i partisë time të zgjidhet nëpërmjet garës. Unë kam kërkuar një garë dhe do t’i qëndroj deri në fund kësaj historie”, u shpreh Braçe.

I pyetur se çfarë do të ndryshonte në Tiranë, në rast se do të kishte mundësinë të ndikonte në drejtimin e saj, socialisti dha një përgjigje të shkurtër, por të drejtpërdrejtë: pastërtinë.

“Pastërtinë. Është shumë e papastër. Tirana është e pisët sot që flasim”, deklaroi ai, duke evidentuar ndotjen dhe mungesën e pastërtisë si një prej problemeve që, sipas tij, kërkojnë vëmendje në kryeqytet.

Gjatë intervistës, Braçe komentoi edhe protestat dhe situatën e krijuar në Tiranë, duke u ndalur te ndikimi që ato kanë në jetën e përditshme të qytetarëve. Ai tha se situata shkakton shqetësim, pasi njerëzit përballen me vështirësi për të shkuar në punë, në shkollë dhe për të vijuar aktivitetet e zakonshme.

Megjithatë, deputeti nënvizoi se krahas akteve të dhunshme duhet të merren në konsideratë edhe kërkesat legjitime të qytetarëve, të cilat, sipas tij, duhet të shërbejnë si objekt reflektimi për qeverinë dhe shumicën parlamentare.

Një tjetër moment i intervistës lidhej me pyetjet për deputeten Zegjine Çaushi. Braçe shmangu komentet personale, duke argumentuar se nuk dëshiron të flasë për gratë dhe se çështja nuk lidhet me fushën e tij profesionale.

“Në botë ka dy lloje burrash. Burra që flasin me gratë dhe burra që flasin për gratë. Unë për gratë nuk flas. Unë jam ekonomist”, u shpreh ai.

Braçe iu referua gjithashtu përvojës së tij të parë parlamentare, duke kujtuar se edhe ai vetë kishte qenë deputet i ri në mandatin e parë, ashtu siç është aktualisht Zegjine Çaushi.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.