Rritja e përdorimit të internetit dhe mjeteve digjitale po sjell shqetësime të reja për qytetarët shqiptarë, veçanërisht për sigurinë e fëmijëve, mbrojtjen e të dhënave personale dhe rreziqet që lidhen me aktivitetin online.
Sipas raportit “Balkan Barometer 2025”, të publikuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), siguria dhe mirëqenia e fëmijëve në internet përbën shqetësimin kryesor për shqiptarët. Rreth 50% e të anketuarve e rendisin këtë çështje të parën, krahasuar me 43% që është mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në vendin e dytë renditen krimet kibernetike, përfshirë vjedhjen e të dhënave personale apo informacionit të kartave bankare. Për këtë problem shprehen të shqetësuar 39% e shqiptarëve, pothuajse në të njëjtin nivel me mesataren rajonale prej 40%.
Siguria e pagesave online shqetëson 21% të qytetarëve shqiptarë, ndërsa në nivel rajonal kjo përqindje arrin në 26%. Ndërkohë, 13% e të anketuarve në Shqipëri shprehen të shqetësuar për mungesën e aftësive të nevojshme digjitale për përdorimin e teknologjisë.
Më i ulët rezulton shqetësimi për ndikimin e inteligjencës artificiale në tregun e punës. Vetëm 6% e shqiptarëve kanë frikë se përdorimi i AI mund të sjellë humbjen e vendeve të punës, krahasuar me 8% në Ballkanin Perëndimor.
Raporti evidenton gjithashtu se një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve nuk shohin arsye për t’u shqetësuar nga rritja e përdorimit të internetit dhe teknologjisë. Rreth 30% e të anketuarve në Shqipëri japin këtë përgjigje, kundrejt mesatares rajonale prej 22%.
Kjo e bën Shqipërinë vendin me përqindjen më të lartë në Ballkanin Perëndimor të qytetarëve që deklarojnë se nuk shqetësohen nga zhvillimet e internetit dhe mjeteve digjitale.
