Bonusi i bebeve do të kthehet në një mbështetje mujore për fëmijët deri në moshën 5 vjeç, për familjet me të ardhura të pakta, duke nisur nga 1 korriku 2027. Ministrja Klodiana Spahiu njoftoi nga Korça se për këtë ndryshim në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm janë parashikuar 50 milionë euro.
Sipas ministres, buxheti i vitit 2027 do të përfshijë gjithashtu 1.4 miliardë lekë për 28 institucione të përkujdesit shoqëror, ndërsa 480 milionë lekë do të ndahen për Fondin Social, me qëllim mbështetjen e bashkive për ngritjen dhe zgjerimin e shërbimeve sociale.
"Buxheti i vitit 2027 do të përfshijë 1.4 mld lekë për 28 institucione të përkujdesit shoqëror. Por veçanërisht për fëmijët do të shtohen për herë të parë 50 mln euro për rishikimin e Baby Bonus të përkthyera tashmë në përfitime mujore për fëmijët deri në moshën 5 vjeç, për familjet me të ardhura te pakta, nga 1 korriku 2027. Fondi social është një tjetër instrument i parashikuar në këtë projektbuxhet prej 480 mln lekë për të mbështetur bashkitë e vendit për ngritjen e zgjerimin e shërbimeve sociale territoriale" tha Spahiu.
Nga Korça, ku po zbatohet modeli i kalimit nga kujdesi institucional drejt mbështetjes së fëmijëve në familje dhe komunitet, Spahiu foli edhe për ligjin e ri për kujdesin alternativ dhe Planin e Garancisë për Fëmijët 2026–2030.
“Çdo fëmijë meriton një familje. Çdo familje meriton mbështetje”, u shpreh ministrja.
Ajo theksoi se mbrojtja e fëmijëve nuk është vetëm një detyrim institucional, por një përgjegjësi kombëtare. Sipas saj, në bashkëpunim me pushtetin vendor, Bashkimin Europian dhe UNICEF-in, synohet që modeli i zbatuar në Korçë të shtrihet në të gjithë vendin.
“Suksesi i një qeverie nuk matet vetëm me zhvillimin ekonomik, por edhe me mënyrën se si kujdeset për fëmijët e tij”, deklaroi Spahiu, duke e mbyllur mesazhin me fjalët: “Asnjë fëmijë pa përkujdesje. Asnjë familje pa mbështetje”.











Komente
Komento