Një tërmet i fortë goditi orët e para të së dielës pjesën qendrore të Japonisë, duke shkaktuar dëme materiale dhe plagosjen e të paktën 22 personave, raportojnë mediat lokale. Lëkundjet thyen vitrina dyqanesh dhe detyruan qytetarët të largoheshin me nxitim nga ndërtesat, përcjell AP.
Agjencia Meteorologjike e Japonisë e vlerësoi tërmetin me magnitudë 5.7, ndërsa Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara raportoi magnitudën 5.5. Pas lëkundjes kryesore u regjistruan edhe pasgoditje më të vogla.
Tërmeti preku një zonë të gjerë pranë prefekturës Aichi, përfshirë qytetin Hamamatsu, si dhe prefekturat fqinje Gifu dhe Yamanashi, ku ndodhet mali Fuji. Lëkundjet u ndien gjithashtu në zonat e ish-kryeqyteteve historike Kyoto dhe Nara. Sipas vlerësimeve zyrtare sizmike, lëkundjet më të forta u regjistruan në Aichi.
Pamjet e transmetuara nga televizionet japoneze treguan vitrina të thyera dhe copa xhami të shpërndara në rrugë. Në një librari, libra të shumtë kishin rënë nga raftet dhe ishin grumbulluar në dysheme. Mes të plagosurve kishte edhe persona që u rrëzuan në shkallë teksa përpiqeshin të dilnin nga ndërtesat.
Tërmeti u regjistrua në orën 01:04, në një thellësi prej rreth 40 kilometrash, në prefekturën Shizuoka. Kjo zonë kufizohet me prefekturën Aichi. Lëkundjet nuk u ndien në Tokio, për shkak të distancës nga epiqendra.
Agjencia Meteorologjike paralajmëroi qytetarët të jenë të përgatitur për mundësinë e tërmeteve të tjera të forta gjatë javës së ardhshme, veçanërisht në dy deri në tri ditët në vijim.
“Ju lutemi të tregoni kujdes ndaj rrëshqitjeve të dheut, rënies së shkëmbinjve dhe pasojave të mundshme të reshjeve”, deklaroi për gazetarët zyrtari i agjencisë, Ayataka Ebita.
Ai shtoi se deri në atë moment nuk ishte konstatuar ndonjë ndryshim i dukshëm në pllakën tektonike të Hendekut Nankai, zonë ku shkencëtarët paralajmërojnë mundësinë e një tërmeti me magnitudë shumë të lartë.
Si masë paraprake, trenat e shpejtësisë së lartë Shinkansen po qarkullojnë me shpejtësi të reduktuar në zonat e prekura, pasi lëkundjet sizmike mund të shkaktojnë dëmtime në linjat hekurudhore.
Japonia ndodhet në një zonë me aktivitet të lartë sizmik. Autoritetet u bëjnë vazhdimisht thirrje banorëve të mbajnë rezerva uji, ushqimesh dhe baterish, si dhe të kenë një plan për t’u mbrojtur gjatë lëkundjeve, përfshirë strehimin nën tavolina dhe mbajtjen pranë të këpucëve të përshtatshme për të ecur.