SHBA jep 20 milionë dollarë për informacione mbi programin bërthamor të Iranit, task-forcë për të bllokuar armët dhe të ardhurat e Teheranit Mes ndërtesave të shkatërruara nga lufta dhe tendave ku strehohen mijëra persona të zhvendosur, Gaza është bërë skenë e një feste të veçantë.
Dhjetëra çifte palestineze janë mbledhur për të kurorëzuar dashurinë e tyre në një ceremoni masive martesore, duke sjellë për disa orë atmosferë gëzimi në enklavën e shkatërruar nga lufta.
Ceremonia u organizua nga misioni humanitar i Emirateve të Bashkuara Arabe, “Operation Gallant Knight 3”, dhe bëri bashkë nuse e dhëndurë nga zona të ndryshme të Gazës. Organizatorët e cilësuan këtë aktivitet si një festë të dashurisë, shpresës dhe fillimeve të reja, në një territor ku jeta e përditshme vazhdon të dominohet nga pasojat e konfliktit.
Pamjet nga ceremonia tregojnë çiftet palestineze të mbledhura për të festuar martesën e tyre, ndërsa përreth tyre shihen gjurmët e shkatërrimit dhe kampet me tenda ku jetojnë familjet e zhvendosura nga luftimet.
Edhe pse një armëpushim hyri në fuqi në Gaza në tetor të vitit të kaluar, sulmet ajrore izraelite kanë vijuar pothuajse çdo ditë, duke mbajtur të lartë tensionin dhe pasigurinë në territor.
Lufta nisi pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, ku u vranë rreth 1,200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng.
Në përgjigje, Izraeli nisi një fushatë të gjerë ushtarake në Rripin e Gazës kundër Hamasit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, më shumë se 74,640 persona kanë humbur jetën gjatë luftës.
Në këtë realitet të vështirë, ceremonia masive e martesës u kthye në një moment të rrallë gëzimi për çiftet dhe familjet e tyre, duke përcjellë mesazhin se edhe mes shkatërrimit, banorët e Gazës përpiqen të rifillojnë jetën.
Top Channel