Protesta e djeshme në Tiranë, 4 të arrestuar! Një person gjobitet me 5 mln lekë
Katër persona janë arrestuar dhe shtatë të tjerë janë proceduar penalisht pas akteve të dhunës të regjistruara gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë në Tiranë. Policia bën me dije se gjatë tubimit protestuesit kanë goditur me sende të forta dhe lëndë piroteknike efektivët e policisë, kanë bllokuar qarkullimin dhe kanë djegur kazanë mbeturinash.
Në vijim të hetimeve, në pranga kanë rënë K.N., 24 vjeç, M.K., 19 vjeç, B.M., 19 vjeç dhe Z.N., 34 vjeç, ndërsa shtatë persona të tjerë janë proceduar penalisht.
Gjatë kontrollit fizik të njërit prej të arrestuarve, K.N., policia ka gjetur një sasi lënde narkotike të dyshuar kanabis dhe një send metalik shpues. Ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij janë sekuestruar një send imitues i armës së zjarrit dhe 50 sfera metalike.
Paralelisht me procedimet penale, policia ka vendosur 12 masa administrative në bazë të Aktit Normativ nr. 5, datë 28 tetor 2026, për kundërvajtjet e konstatuara gjatë protestës.
Një prej masave, në vlerën 500 mijë lekë, është vendosur ndaj një protestuesi, i cili, sipas policisë, i maskuar me kapuç, ka qëlluar me gurë në drejtim të efektivëve dhe godinës së Kryeministrisë.
Sipas njoftimit, pavarësisht thirrjeve të përsëritura të punonjësve të policisë për të ndaluar veprimet e dhunshme dhe për t’u shpërndarë, protestuesi nuk i ka respektuar ato.
Ndërkohë, hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e plotë të akteve të kundërligjshme, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.




