Katër persona janë arrestuar dhe 7 të tjerë janë proceduar penalisht pas protestës së zhvilluar një ditë më parë në Tiranë, ku u regjistruan përplasje me policinë, hedhje gurësh e molotovësh dhe djegie të kazanëve të mbeturinave.
Në njoftimin zyrtar, Policia e Shtetit bën me dije se gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar një send metalik shpues, mjete të përdorura për hedhjen e gurëve, një send imitues i armës së zjarrit dhe 50 sfera metalike.
Në pranga kanë përfunduar katër shtetas, të identifikuar me inicialet K.N., 24 vjeç, M.K., 19 vjeç, B.M., 19 vjeç dhe Z.N., 34 vjeç. Ndërkohë, 7 persona të tjerë janë proceduar penalisht.
Policia njofton gjithashtu vendosjen e 12 masave administrative në bazë të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026.
Njëra prej tyre arrin në 5 mln lekë dhe është vendosur ndaj një protestuesi, i cili, sipas policisë, ishte i maskuar me kapuç dhe kishte goditur me gurë efektivët dhe godinën e Kryeministrisë.














