Hetimet për sulmin e armatosur në Krakov të Polonisë kanë nxjerrë në dritë të dhëna të reja dhe tronditëse.
Policia ka identifikuar si autor të dyshuar 25-vjeçarin Michał Oksiński, i cili raportohet se mbeti i plagosur rëndë gjatë ngjarjes.
Të lidhura
None found
Tre viktima të tjera janë gjetur në banesën ku i riu jetonte së bashku me familjen. Bëhet fjalë për babanë e tij 53-vjeçar, nënën 52-vjeçare dhe motrën 20-vjeçare. Të tre dyshohet se kishin marrë plagë nga armë zjarri.
Me këto viktima, numri i përgjithshëm i personave që kanë humbur jetën shkon në nëntë. Në sulmin në Krakov, gjashtë persona kanë vdekur, mes tyre edhe një i plagosur që ndërroi jetë në spital, ndërsa 16 të tjerë janë lënduar.
Pesë nga të plagosurit dyshohet se janë shtetas të huaj. Zëvendësinspektori Andrzej Fijolek, zëdhënës i shefit të policisë polake, deklaroi për televizionin TVN24 se bilanci i viktimave mbetet i pandryshuar dhe se gjendja e të plagosurve të tjerë nuk është rënduar.
Raportimet e mediave polake bëjnë të ditur se 25-vjeçari nuk kishte precedentë penalë. Ai jetonte me familjen në Ostrowiec Świętokrzyski, qytet që ndodhet rreth dy orë larg me makinë nga Krakov.
Oksiński ishte gjithashtu anëtar i një poligoni qitjeje. Një fqinj i familjes rrëfeu për TVN24 se e kishte parë shpesh të riun dhe babanë e tij duke u larguar së bashku me makinë, të veshur me uniforma kamuflazhi dhe duke mbajtur çanta në duar.
Megjithatë, fqinji tha se nuk kishte vënë re asgjë të dyshimtë në sjelljen e tyre dhe se nuk do ta kishte menduar kurrë që 25-vjeçari mund të përfshihej në një ngjarje të tillë.







