Protesta para Kryeministrisë: Protesuesi me kapuç gjobitet me 500 mijë lekë, 4 të tjerë arrestohen

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 08.11.2026, 11:36

Katër persona kanë përfunduar në pranga, ndërsa shtatë të tjerë janë proceduar penalisht në lidhje me incidentet e dhunshme të shënuara gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë para Kryeministrisë.

Sipas njoftimit të Policisë, gjatë tubimit disa prej protestuesve kanë kundërshtuar efektivët, duke i goditur me sende të forta dhe lëndë piroteknike. Gjithashtu, ata kanë bllokuar qarkullimin e automjeteve dhe kanë djegur kazanë mbeturinash.

Në kuadër të hetimeve, të zhvilluara nën drejtimin e Prokurorisë, janë arrestuar katër shtetas, përkatësisht K. N., 24 vjeç, M. K., 19 vjeç, B. M., 19 vjeç dhe Z. N., 34 vjeç.

Gjatë kontrollit fizik të 24-vjeçarit K. N., Policia ka gjetur një sasi të dyshuar lënde narkotike kanabis dhe një send metalik shpues. Ndërsa në banesën e tij janë sekuestruar një objekt imitues i armës së zjarrit dhe 50 sfera.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar edhe mjete që dyshohet se janë përdorur për hedhjen e gurëve dhe sferave metalike në drejtim të efektivëve gjatë protestës.

Paralelisht me procedimet penale, Policia ka vendosur 12 masa administrative në bazë të Aktit Normativ nr. 5, datë 28 tetor 2026.

Një prej gjobave, në vlerën 500 mijë lekë, është vendosur ndaj një personi, i cili sipas Policisë, kishte mbuluar kokën me kapuç dhe kishte qëlluar me gurë në drejtim të punonjësve të Policisë dhe godinës së Kryeministrisë.

Sipas uniformave blu, personi nuk i është bindur thirrjeve të përsëritura të efektivëve për të ndaluar veprimet e dhunshme dhe për t'u larguar nga tubimi.

Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në incidentet e regjistruara gjatë protestës.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e veprimeve të mëtejshme hetimore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit