Sipërmarrësi Asim Prengëzaj, i cili prej muajsh është pjesë e protestave në Tiranë në mbështetje të të rinjve, ka rrëfyer në emisionin “News24 Fundjavë” arsyet që e kanë bërë të qëndrojë në shesh, përvojën e tij gjatë përplasjeve me policinë dhe mbështetjen që u ka dhënë protestuesve të rinj.
Prengëzaj deklaroi se protesta ka nisur më 31 maj dhe se, sipas tij, ka vijuar për 162 ditë. Ai theksoi se nuk do të ndalet derisa të shembet sistemi aktual. Sipërmarrësi tregoi se vetë iu bashkua protestës në ditën e dytë, pasi ditën e parë ndodhej jashtë Shqipërisë. Fillimisht, së bashku me një grup intelektualësh dhe miqsh, e ndiqte protestën, ndërsa më 16 qershor u ftua nga një grup të rinjsh dhe të rejash që organizonin marshimin.
“Unë isha më i madhi në moshë nga grupi. Ishte rreth 100 djem dhe vajza të reja që merreshin me mbarëvajtjen e marshimit të protestës, dhe jam aty deri sot. Më kanë quajtur si të madhin e grupit”, u shpreh ai.
I pyetur për shoqërimet në polici, Prengëzaj bëri të ditur se është shoqëruar tri herë, duke theksuar se në çdo rast ka qenë i motivuar nga dëshira për të mbështetur të rinjtë.
Sipas tij, studentët dhe protestuesit e rinj nuk kanë nevojë për drejtim, pasi i kanë të qarta idetë dhe angazhimin e tyre, por kanë nevojë për mbështetje morale përballë presionit të lartë që përjetojnë gjatë protestave.
“Ata nuk kanë nevojë për drejtim, sepse i kanë të qarta idetë edhe angazhimin e tyre. Kanë nevojë për mbështetje morale, sepse atje presioni është shumë i lartë. Është e thjeshtë ta shohësh nga ekrani, është e thjeshtë ta shohësh nga kolltuku i shtëpisë, por atje presioni është shumë i lartë. Kemi ndarë përvoja me të rinj e të reja që janë ndjekur, janë dhunuar, dhe mbështetja morale në atë moment është shumë e rëndësishme”, deklaroi Prengëzaj.
Gjatë intervistës u diskutua edhe për kohëzgjatjen e protestës dhe përshkallëzimin e saj pas ndërhyrjeve të policisë. Në studio u vlerësua se protesta kishte nisur në mënyrë paqësore dhe se, pas përdorimit të dhunës nga shteti, kishte hyrë në një fazë tjetër. U përmendën gjithashtu emërtimet “revolucioni i flamingove” dhe “revolucioni i shqiponjave”, si dy faza të kësaj lëvizjeje.
Prengëzaj ndau gjithashtu dhimbjen për përballjen mes protestuesve dhe efektivëve të policisë, duke e cilësuar këtë të fundit si një nga shtresat më të keqpërdorura ndër vite. Ai theksoi se mbështetja e tij për të rinjtë lidhet me kauzën e tyre dhe me atë që ata po përjetojnë në shesh.
