Një 21-vjeçar ka shkaktuar një aksident të rëndë në komunën Andwil, në kantonin e St. Gallenit në Zvicër, pasi u përpoq t'i ikte një kontrolli policor. Veturën e tij e përplasi drejtpërdrejt në një shtëpi banimi, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe duke rrezikuar shembjen e ndërtesës.

Ngjarja ka ndodhur të shtunën, rreth orës 02:35 të mëngjesit, pasi një patrullë policore tentoi ta ndalonte të riun në qytetin Gossau. Në vend që t'i bindej urdhrit të policisë, ai vazhdoi të largohej në drejtim të Andwilit, me shpejtësi dukshëm mbi kufirin e lejuar.


Gjatë ikjes, në afërsi të një garazhi veturash, 21-vjeçari preku me automjet bordurën e rrugës dhe humbi kontrollin mbi drejtimin.

Vetura kaloi nëpër të dy korsitë e qarkullimit, depërtoi përmes një gardhi dhe u përplas fuqishëm në fasadën e një shtëpie.

Përplasja ishte aq e fortë sa vetura përfundoi e ngujuar në pjesën e poshtme të ndërtesës, ndërsa pjesë të saj depërtuan deri në kuzhinën e banesës, shkruan 20Minuten, transmeton Telegrafi.

Drejtuesi pësoi lëndime të rënda, por arriti të dilte vetë nga automjeti para se të dërgohej me urgjencë në spital.

Ndërkohë, shtëpia pësoi dëmtime serioze strukturore dhe u shpall e rrezikuar nga shembja. Përpara se vetura të largohej nga ndërtesa, zjarrfikësit u detyruan ta përforconin përkohësisht objektin, ndërsa një ekspert i statikës konstatoi dëmtime në elementet mbajtëse të tij.

Për shkak të rrezikut, banorët nuk mund të kthehen në shtëpinë e tyre. Komuna e Andwilit ka organizuar strehim emergjent për ta.

Nxjerrja e veturës nga ndërtesa ishte një operacion i ndërlikuar, pasi automjeti kishte mbetur i bllokuar në strukturën e shtëpisë. Për këtë arsye, ekipet e shpëtimit u detyruan ta çmontonin pjesërisht atë përpara largimit.

Policia ka urdhëruar marrjen e mostrave të gjakut dhe urinës nga 21-vjeçari, ndërsa patentë-shoferi i është marrë. Deri më tani, dëmi material nuk është vlerësuar përfundimisht./Telegrafi/