Sulmi me 9 viktima në Krakov, dëshmitë e të mbijetuarve: Dëgjuam mbi 20 të shtëna, njerëzit u fshehën në dyqane dhe komisariat
Dëshmitarët e sulmit të armatosur në qytetin e Krakovit në Poloni kanë rrëfyer momentet e tmerrit që përjetuan, kur një person i armatosur hapi zjarr në qendër të qytetit, duke shkaktuar gjashtë viktima dhe 16 të plagosur.
Ndërkohë, tre persona të tjerë, që dyshohet se janë prindërit dhe motra e autorit, u gjetën të pajetë në banesën e tij, duke e çuar në nëntë numrin e viktimave të lidhura me ngjarjen.
Një dëshmitar i identifikuar si Aleksandër tregoi për median polake Fakt se ndodhej pranë një dyqani kur dëgjoi të shtënat dhe pa njerëzit të vraponin të tmerruar.
“Ne po ecnim drejt dyqanit kur dëgjuam të shtëna. U kthyem dhe pamë njerëzit që nisën të vraponin. Turistët nga vendet e tjera nuk kuptonin çfarë po ndodhte”, rrëfeu ai, duke shtuar se kishte dëgjuar rreth 20 të shtëna.
Dëshmitari tregoi se u fut me shpejtësi në një dyqan, ku punonjësja mbylli derën dhe së bashku me të tjerët pritën derisa situata të qetësohej.
“Askush nuk kishte parë ndonjëherë një panik të tillë. Njerëzit vraponin nëpër dyqane për t’u fshehur”, tha ai.
Edhe turistja britanike Kaitlin Sasbi, e cila ndodhej në qytet për një udhëtim fundjave, tregoi se kishte dëgjuar të shtënat nga dhoma e hotelit. Ajo tha se vetëm pasi mori një telefonatë nga stafi i hotelit kuptoi se në qytet kishte ndodhur një sulm i armatosur.
Ndërkohë, një tjetër dëshmitar rrëfeu për televizionin TV Republika se kishte parë një automjet të zi të mbërrinte në sheshin qendror dhe autorin duke përgatitur armën.
Sipas tij, personi i armatosur kishte hapur zjarr në drejtim të njerëzve dhe më pas ishte larguar në një nga rrugët e zonës.
Një tjetër qytetar, i identifikuar si Konrad, tregoi se kishte vrapuar drejt komisariatit të policisë për t’u shpëtuar plumbave. Kur hyri brenda, gjeti dhjetëra persona të tjerë të fshehur në dysheme.
“Shihja plumba që dilnin nga dritarja e shoferit”, rrëfeu ai për median Interia.
Për agjencinë Reuters, një 67-vjeçar i identifikuar si Julek tregoi se kishte shpëtuar për pak minuta nga sulmi.
“Nëse do të kishim mbërritur dy minuta më herët, mund të na kishin qëlluar edhe ne”, tha ai.
Ndërkohë, hetimet për motivet e autorit vijojnë. Ministri i Brendshëm i Polonisë, Marcin Kierwinski, deklaroi se 25-vjeçari dyshohet se ishte ndikuar nga ideologjia e ekstremit të djathtë.
Sipas policisë, autori përdori një armë të tipit AR-15 dhe kishte leje për mbajtjen e armëve. Ai u plagos gjatë ndërhyrjes së forcave të rendit dhe u arrestua pak minuta pas nisjes së sulmit.
Ngjarja konsiderohet ndër sulmet më vdekjeprurëse të këtij lloji në Poloni, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e saj.




