Gripi sezonal/ Në Vlorë janë vaksinuar rreth 8 mijë persona, 18 500 doza në dispozicion

08/11/2026 12:22

Procesi i vaksinimit kundër gripit sezonal mbetet një nga masat më të rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit, veçanërisht për kategoritë më të rrezikuara nga ndërlikimet e gripit.

Në Vlorë, vaksinimi ka nisur më 5 tetor dhe do të vijojë të paktën deri në fund të muajit mars.

Agron Bashllari, Shefi i Epidemiologjisë në Vlorë, thotë se këtë vit kanë mbërritur 18 mijë e 500 doza vaksine. Vaksinimi ka nisur fillimisht për personelin shëndetësor. Megjithatë, sasia e dozave mund të rritet në varësi të kërkesave.

‘Konkretisht, rreth 4 mijë e 277 doza janë kryer te personat me sëmundje kardiovaskulare, ndërsa 1 mijë e 210 doza u përkasin personave me diabet. Vaksinimi ka përfshirë edhe individë me patologji të tjera, si dhe persona të shëndetshëm, për të cilët janë kryer rreth 1 mijë e 868 doza’ thotë shefi i Epidemiologjisë.

Deri më tani, në Vlorë janë kryer rreth 7 mijë e 922 doza vaksine, ose afërsisht 42% e sasisë totale të disponueshme. Pjesa më e madhe e vaksinimeve u përket personave që vuajnë nga sëmundjet kronike.
Muajt e dimrit konsiderohen periudha me rrezikun më të lartë për përhapjen e gripit sezonal. Sipas specialistëve, numri i rasteve pritet të arrijë kulmin gjatë muajve dhjetor dhe janar, për t’u ulur gradualisht në muajin mars. Për këtë arsye, ekspertët e shëndetit publik rekomandojnë që vaksinimi të kryhet sa më herët, pasi organizmit i nevojiten rreth dy javë për të krijuar mbrojtjen e nevojshme pas marrjes së vaksinës.

Top Channel