Një 41-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është ekstraduar nga Spanja drejt Shqipërisë, në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”. Bëhet fjalë për Arnold Jahon, lindur në Vlorë, i cili u ekstradua nga Barcelona pas bashkëpunimit mes specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të tyre në Madrid.
Sipas Policisë së Shtetit, Gjykata e Tiranës e ka dënuar Jahon në vitin 2026 me gjashtë vite burgim për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Më herët, në vitin 2024, ai ishte dënuar me një vit burgim për veprën penale “Mashtrimi”.
Ndërkohë, në vitin 2025, Prokuroria e Tiranës kishte lëshuar ndaj tij një urdhër ndalimi për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ekstradimi u realizua gjatë një tjetër faze të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, në kuadër të bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare dhe atyre spanjolle.