Agron Duka mesazh opozitës: Po nuk gjetët kandidat fitues për Durrësin, futem vetë
Agron Duka mund të jetë një nga emrat që do të garojnë për drejtimin e Bashkisë së Durrësit në zgjedhjet e ardhshme vendore. Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste nuk e ka përjashtuar kandidimin, duke e lidhur vendimin me mënyrën se si opozita do të përzgjedhë kandidatin që do të përballet me mazhorancën.
Gjatë një interviste me gazetarin Arbër Hitaj, Duka argumentoi se opozita duhet të heqë dorë nga pazaret dhe ndarjet e kandidaturave sipas peshës së partive, duke u mbështetur te sondazhet për të përcaktuar se kush gëzon mbështetjen më të madhe të qytetarëve.
Sipas tij, në bashki të rëndësishme si Durrësi, objektivi duhet të jetë fitorja e zgjedhjeve dhe jo thjesht plotësimi i interesave apo ekuilibrave të brendshëm politikë të opozitës.
Pikërisht nëse kjo strategji nuk ndiqet dhe propozohet një kandidat pa mbështetjen e nevojshme për të fituar, Duka lë të kuptohet se mund të hyjë vetë në garë për drejtimin e qytetit.
Kreu i PAA-së e cilëson një angazhim të tillë si përgjegjësi politike, por edhe sakrificë personale, në rast se opozita nuk arrin të gjejë një alternativë bindëse përballë kandidatit të mazhorancës.
Megjithatë, për momentin nuk ka një vendim përfundimtar nga Duka. E ardhmja e kandidimit të tij mbetet e lidhur me zhvillimet brenda opozitës dhe emrin që do të propozohet për Bashkinë e Durrësit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



