Një varkë emigrantësh, e njohur si “pirogue”, është përballur me vështirësi në det dhe dyshohet se është mbytur pranë brigjeve të Senegalit, në veriperëndim të vendit. Ministria e Brendshme e Senegalit bëri të ditur të dielën se deri më tani është gjetur vetëm një i mbijetuar, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë, përcjell Euronews.
Në deklaratën zyrtare, ministria tha se varka hasi probleme në ujërat pranë Kébémerit. Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur numrin e personave që ndodheshin në bord apo bilancin e viktimave.
“Në emër të presidentit të Republikës dhe qeverisë, ministri i Brendshëm dhe i Sigurisë Publike nderon kujtimin e viktimave dhe u shpreh ngushëllimet e sinqerta familjeve të tyre”, thuhet në deklaratë.
Qeveria senegaleze ritheksoi gjithashtu vendosmërinë për të luftuar rrjetet e trafikimit të emigrantëve, duke bërë të ditur se do të bashkëpunojë me vendet fqinje për të trajtuar këtë problem.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) të Kombeve të Bashkuara, rruga e rrezikshme e Atlantikut mbetet një nga korridoret kryesore që përdorin emigrantët nga Afrika Perëndimore për të mbërritur në Evropë.
Forcimi i kontrolleve në pikat tradicionale të nisjes në Senegal, Marok dhe Mauritani ka bërë që disa emigrantë të kërkojnë rrugë alternative më në jug, drejt vendeve si Gambia.
IOM paralajmëron se këto pika të reja nisjeje mund ta zgjasin udhëtimin detar deri në 750 kilometra, duke e çuar distancën e disa kalimeve në rreth 2 200 kilometra. Kjo i ekspozon emigrantët ndaj qëndrimeve më të gjata në det, larg brigjeve dhe zonave të monitoruara, duke shtuar rrezikun e mbytjes, dehidratimit dhe zhdukjes.