Policia e Shtetit ka njoftuar ekstradimin nga Spanja të 41-vjeçarit Arnold Jaho, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për disa vepra penale. Ai u soll nga Barcelona në Shqipëri, pas bashkëpunimit mes specialistëve të Interpolit në Tiranë dhe homologëve të tyre në Madrid, në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”.
Sipas policisë, Jaho është dënuar nga Gjykata e Tiranës në vitin 2026 me 6 vite burg për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Më herët, në vitin 2024, ai ishte dënuar me një vit burgim për veprën penale “Mashtrimi”.
Ndërkohë, në vitin 2025, Prokuroria e Tiranës kishte lëshuar ndaj tij edhe një urdhër ndalimi për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ekstradimi u realizua në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, ndërsa Policia e Shtetit bën me dije se bashkëpunimi me autoritetet spanjolle vijon për kapjen dhe kthimin në Shqipëri të personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

