Kryeministri Edi Rama ka prezantuar platformën e re “Fol me Kryeministrin”, një hapësirë komunikimi të drejtpërdrejtë për studentët dhe qytetarët që duan të përcjellin pyetje, kritika, shqetësime apo propozime. Nisma vjen pas protestave të studentëve dhe, sipas kreut të qeverisë, synon të krijojë një mundësi të re dialogu, edhe për ata që nuk dëshirojnë të shprehen publikisht.
Duke ndarë pamje nga platforma, Rama e cilësoi atë si një formë komunikimi që mund të aksesohet nga telefoni apo kompjuteri. Ai theksoi se protesta është pjesë e bashkëjetesës demokratike dhe se qytetarët kanë të drejtë të shprehin pakënaqësitë e tyre dhe të dëgjohen.
“Çdo protestë ka një arsye kur nis, por edhe një sfond më të gjerë sesa pankarta e pikënisjes. Nga ana tjetër protesta nuk është vetëm një manifestim shqetësimi, pakënaqësie a zemërimi, po pjesë e bashkëjetesës demokratike, ku qytetarët janë të lirë të shprehen dhe kanë të drejtë të dëgjohen”, u shpreh kryeministri.
Rama nënvizoi se protesta është një e drejtë e pamohueshme në vendet e lira dhe duhet të mbrohet nga shteti, edhe kur qytetarët protestojnë kundër qeverisë, parlamentit apo gjykatave. Në të njëjtën kohë, ai e ndau këtë të drejtë nga aktet e dhunës, duke i cilësuar kërcënimet dhe vandalizmin ndaj pronës publike e private si krime.
“Për mua, që i përkas një gjenerate e cila e fitoi me protesta paqësore lirinë e mendimit dhe të pluralizmit politik, ka qenë gjithnjë e qartë: Protesta është një trokitje në veshin e pushtetit dhe pushteti duhet ta dëgjojë çdo protestë, e të jetë kurdoherë gati për dialog”, tha Rama.
Sipas tij, në disa raste protestuesit kërkojnë dialog, por qeveritë hezitojnë të ulen me ta. Në raste të tjera, shtoi ai, ndodh e kundërta: ka qytetarë që duan të flasin me përfaqësuesit e qeverisë, por nuk ndihen të lirë ta bëjnë këtë publikisht për shkak të intimidimit nga persona që nuk duan dialog.
Kryeministri theksoi se veprimet e dhunshme të disa protestuesve nuk duhet të përdoren si arsye për të mos dëgjuar të tjerët, ndërsa refuzimi i dialogut nga disa persona nuk duhet të pengojë ata që duan të diskutojnë.
Për këtë arsye, sipas Ramës, u krijua platforma, e cila fillimisht u drejtohet studentëve, por është e hapur për çdo qytetar. Ai tha se komunikimi mund të bëhet pa qenë e nevojshme që përdoruesit të publikojnë emrin dhe mbiemrin apo të mbajnë një qëndrim në mbështetje të njërës palë.
Rama garantoi se identiteti i personave që zgjedhin të komunikojnë në mënyrë konfidenciale do të ruhet dhe nuk do të bëhet publik pa pëlqimin e tyre.
Kreu i qeverisë sqaroi se kjo nismë nuk synon të zëvendësojë protestën me një formular digjital dhe as ta kushtëzojë dialogun me dakordësinë për qëndrimet e qeverisë. Qëllimi, sipas tij, është krijimi i një hapësire ku pyetjet, kritikat dhe propozimet të shqyrtohen me respekt dhe përgjegjësi.
“Askush nuk duhet të zgjedhë mes së drejtës për të protestuar dhe mundësisë për t’u dëgjuar. Prandaj, kush do të protestojë paqësisht, le ta bëjë pa asnjë pengesë. Kush do që edhe të dialogojë për çka proteston, bujrum, është i mirëpritur në këtë hapësirë të re sociale”, deklaroi Rama, duke shtuar se mënyra se si shprehet mosdakordësia ndikon edhe në cilësinë e bashkëjetesës demokratike.

