E diel, 8 Nëntor 2026 Trashëgimtari Halef deri në 15:00 Në vijim ora 15:00: Lajme Ora 15:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Masakra me 9 viktima në Poloni, 25-vjeçari vrau prindërit dhe motrën në gjumë, i qëlloi në kokë

Detaje të reja tronditëse janë zbardhur nga sulmi i përgjakshëm në Krakov të Polonisë, ku 25-vjeçari Michal Oksinski dyshohet se vrau fillimisht prindërit dhe motrën e tij, përpara se të udhëtonte drejt qendrës së qytetit dhe të hapte zjarr ndaj kalimtarëve. Nga të dyja ngjarjet humbën jetën gjithsej nëntë persona, gjashtë prej tyre në sulmin në Krakov dhe tre anëtarët e familjes së autorit.

Sipas mediave polake, trupat e pajetë të prindërve, 53 dhe 52 vjeç, si dhe të motrës 21-vjeçare, u gjetën në banesën familjare në qytetin Ostroëiec Swietokrzyski, rreth 200 kilometra larg Krakovit. Dyshohet se të tre janë vrarë në gjumë, me plagë armësh zjarri në kokë.

Mësohet se motra e autorit studionte në Akademinë e Arteve të Bukura Jan Matejko në Krakov dhe kishte shkuar në banesën e prindërve për të kaluar fundjavën me familjen. Fqinjët e kanë përshkruar familjen si të qetë, ndërsa 21-vjeçaren si një vajzë të talentuar dhe të apasionuar pas artit.

Pas vrasjes së familjarëve, 25-vjeçari dyshohet se është larguar me automjetin e të atit drejt Krakovit. Rreth orës 15:00 të së shtunës, më 7 nëntor, ai hyri me makinë në sheshin qendror Rynek Glowny dhe hapi zjarr ndaj qytetarëve dhe turistëve.

Reklamë

Sulmi shkaktoi panik të madh, ndërsa njerëzit u përpoqën të gjenin strehim në dyqane, restorante dhe ndërtesat përreth. Gjashtë persona humbën jetën.

Policia ndërhyri menjëherë, duke shkëmbyer zjarr me autorin, i cili mbeti i plagosur dhe u arrestua. E gjithë ndërhyrja përfundoi brenda rreth tre minutash nga nisja e sulmit.

Gjatë kontrolleve në banesën familjare, autoritetet gjetën shtatë armë zjarri. Sipas mediave polake, 25-vjeçari kishte leje për armëmbajtje dhe ishte marrë më parë me qitje sportive. Hetuesit po verifikojnë nëse ai përdori armë që i përkisnin të atit dhe nga e kishte siguruar arsenalin.

Ndërkohë, autoritetet polake po hetojnë edhe motivet e krimit. Ministri i Brendshëm, Marcin Kierëinski, ka deklaruar se ka dyshime për ndikim nga ideologjia e ekstremit të djathtë dhe pikëpamjet ultranacionaliste, por kjo pistë mbetet ende nën hetim.

Policia po përpiqet të rindërtojë lëvizjet e 24-vjeçarit dhe të zbardhë lidhjen mes vrasjes së tre familjarëve dhe sulmit masiv në qendër të Krakovit.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.